Sëmundjet mund të vrasin më shumë njerëz sesa bombardimet në Gazë, paralajmëron OBSH

Smoke rises following an Israeli airstrike in the Gaza Strip, as seen from southern Israel, Thursday, Nov. 9, 2023. (AP Photo/Leo Correa)

Sëmundjet e pashërueshme mund të vrasin më shumë njerëz në Rripin e Gazës sesa bombardimet, nëse nuk rregullohet sistemi i shëndetësisë, paralajmëroi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Diarreja dhe infeksionet e frymëmarrjes janë shumë të përhapura në mesin e fëmijëve në ndërtesat e mbipopulluara të Kombeve të Bashkuara, ku pothuajse 1.1 milion njerëz janë duke u strehuar.

Ky paralajmërim u bë në ditën e pestë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – pasi të hënën palët u pajtuan për zgjatjen e tij për edhe dy ditë të tjera.

 

Marrëveshja e arritur të premten me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara, ka mundësuar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gazë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite gjatë këtyre pesë ditëve.

Të martën, 12 pengje dhe 30 të burgosur u liruan në ditën e pestë të marrëveshjes, duke e çuar në 62 numrin e përgjithshëm të pengjeve të liruara dhe në 180 të të burgosurve të liruar.

Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Izraeli kreu bombardime disa javore dhe një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë rreth 15.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur./REL