Selimi: Kosova të kërkojë mbylljen e Gjykatës Speciale

Ish-ministri i Drejtësisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Selimi, ka thënë se Kosova në bashkëveprim të ngushtë me ShBA dhe BE, duhet të fillojnë konsultimet me kërkesën për procesin e përmbylljes së Gjykatës Speciale në Hagë.

Selimi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “ledhatimi evropian në Këshillin e Evropës ndaj ‘arushës ruse’ në kurriz të së vërtetës sonë na e solli edhe ‘narrativin’ e kërkesën e mbrojtjes dhe dëshmimin e vlerave tona perëndimore si shoqëri e shtet në kërkim të ‘drejtësisë’ dhe ‘ballafaqimit me të kaluarën’ – ‘pastrimin e luftës së drejtë e çlirimtare të UÇK-së nga elementet dyshuese për ‘krime lufte’”.

Selimi thotë se  e vërteta ishte dhe mbetet se duhej të plotësohen dëshirat e vullneti persekutues i Moskës dhe Beogradit që ishte adresuar kundër udhëheqësve të luftës sonë çlirimtare.

“Ky çmim i ‘drejtësisë ruse’ e jo i vlerave perëndimore duhet paguar nga Kosova, e për fabrikim të dëshmive kompetencat do t’i barte Moska e Beogradi. Këtë po e vërteton gjithnjë përmbajtja e akuzave në procesin gjyqësor të Hagës”, ka shkruar Selimi, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të fillojnë së vepruari e të iniciojnë përpjekjet institucionale për ndryshimet ligjore të nevojshme me qëllim të përmbylljes së kësaj gjykate të fabrikuar në Moskë e Beograd.

“Në këto rrethana të reja është e pafalshme që Kosova të heshtë për këtë padrejtësi historike”.

I thotë se “kurthi dhe kompromisi mashtrues shumëpalësh me drejtësinë e agjendën e Putinit, në kurriz të së vërtetës sonë për luftën e udhëheqësit e UÇK-së në Gjykatën Speciale duhet të marrë fund!”.

“Pas shpërfytyrimit agresiv e vrastar të Putinit e Rusisë në Ukrainë, miqtë ndërkombëtarë e kanë më të lehtë ta kuptojnë por edhe ta pranojnë mashtrimin, të vërteten dhe çmimin e padrejtësisë që Kosova sot po e paguan për llogari të ‘drejtësisë e barazisë’, të kërkuar pikërisht nga Beogradi e Moska e Putinit”, shkruan ai.

Selimi thotë se “lufta në Ukrainë ka kthyer parimet e Nurembergut. Kjo luftë ka përmbysur konceptet e krimeve eventuale që i identifikon fituesin dhe humbësit”.

“Atëherë kur cenohen vlerat progresive e të demokracisë, legjitimiteti vije mbi legalitetin. Në fund të fundit edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë u bazua mbi legjitimitetin e jo mbi legalitetin”, ka shkruar Selimi.

Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Hagë.

Ajo i heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

BE-ja në vit ndan rreth 40 milionë euro për punën e Gjykatës Speciale.