Sela uron Kurtin: Shpresë për shqiptarët në Maqedoni

Urime për zgjedhjen si kryeministër të Kosovës, Albin Kurtit së fundmi i ka dërguar edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Në një shkrim të tij, Sela ka vlerësuar se zgjedhja e Kurtit është verdikt i qytetarëve që votuan për ndryshim.

Shton se kjo zgjedhje, është edhe shpresë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Zgjedhja Juaj për Kryeministër të Kosovës nga shumica e votuesve kosovar, është një shpresë për të gjithë ata që e duan ndryshimin. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ashtu si gjithë shqiptarët kudo në botë, e kanë ndjekur me interes të madh procesin e ndryshimit të skenës politike në Kosovë, sepse Kosova dhe shqiptarët e Kosovës gjithmonë kanë qenë model i rezistencës dhe ndryshimit”, tha mes të tjerash në urimin e tij, Sela, transmeton TV21.

Ndërkaq, sipas tij, një Kosovë e fortë politikisht, është një garancë për të ardhmen politike të shqiptarëve në vend.

“Një Kosovë e fortë politikisht, ekonomikisht dhe e integruar është një garancë më tepër edhe për të ardhmen politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Sela.