Sela: Kundërshtari ynë kryesor në këto zgjedhje është VMRO-ja

Kryetari i Aleancës Kombëtare për Integrim, Ziadin Sela, ishte i ftuar në emisionin Debat me Fakte në portalin informativ FaktiDitor, ku u diskutuan tema të ndryshme të aktualitetit politik në Maqedoninë e Veriut.

I pyetur për retorikën e fushatës parazgjedhore dhe zgjedhore, si dhe për mundësinë e unifikimit të faktorit politik shqiptar, Sela theksoi se Aleanca Kombëtare për Integrim nuk është marrë me bllokun tjetër shqiptar, përkatësisht me koalicionin VLEN, pjesë e përbërjes shqiptare brenda qeverisë aktuale.
“Gjatë fushatës ne nuk jemi marrë me VLEN-in. Ne jemi përqendruar në kundërshtarin tonë kryesor politik, që është VMRO-DPMNE,” deklaroi Sela. Ai shtoi se Aleanca Kombëtare për Integrim e sheh këtë subjekt si sfidën kryesore në zgjedhjet e ardhshme dhe jo partitë apo koalicionet shqiptare.

Kjo deklaratë vjen në një moment kur skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut është e ndarë ndërmjet disa subjekteve, me theks të veçantë në garën për përfaqësim të denjë dhe bashkëpunim të mundshëm paszgjedhor.