Sekuestrohet një sasi e madhe parash në portin e Durrësit

Një sasi e konsiderueshme në Paund janë sekuestruar në Portin e Durrësit. Mësohet se paratë janë zbuluar të fshehura në një fugon që vinte nga Anglia. Burime nga Dogana Shqiptare për “Top Channel” bëjnë me dije se, vijon ky operacion dhe për momentin po numërohet sasia e Paundëve të sekuestruara.

Shuma e tyre e saktë ende nuk dihet pasi janë duke u numëruar nga specialistët e seksionit për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ndërsa çështja është nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.

Top Channel mëson se Policia e Shtetit ka pasur me herët informacion se në një fugon mallrash, që po vinte nga Anglia ka pasur një shumë parash në monedhë Paund. Për këtë arsye në bashkëpunim me autoritetet doganore janë ushtruar kontrolle te imtësishme në skaner dhe në fugon, ku rezultuan të fshehura disa pako ku brenda tyre ka pasur Paund britanik.

Çfarë ka thënë për autoritetet shoferi?

Raportohet se fugoni tip Mercedes Benz me targa angleze ku u gjet sasia e Paundëve bën shërbimin postar mes emigrantëve shqiptarë dhe familjeve të tyre në Angli. Pakot me Paund u gjetën në pjesën e prapakolpit, pas kontrollit në skaner të fugonit. Mësohet se i ndaluari nuk ka pranuar deri tani të ishte në dijeni për sasinë e gjetur të parave.

Deklarimet e qeverisë angleze për Shqipërinë

Një javë më parë qeveria angleze e konsideroi Shqipërinë si një vend me mundësi të shumta për pastrimin e parave që vijnë nga bota e krimit.

Në të shkuarën mediat britanike kanë raportuar se grupet kriminale shqiptare në Angli paratë e fituara nga trafiku i kokainës i sjellin në Shqipëri përmes mënyrave të ndryshme. Njëra prej tyre përdorimi i fugonëve që transportojnë mallra nga Anglia në drejtim të qyteteve të ndryshme shqiptare.

Mësohet se tarifa e transportit të parave në mënyrë ilegale shkon nga 15 deri në 20% të shumës që individët janë interesuar për t’i çuar në Shqipëri.

Gjatë vitit të shkuar sipas të dhënave të publikuara nga Dogana Shqiptare janë mbi 15 raste kur personave që udhëtonin nga Londra drejt Rinasit i janë kapur sasi në Paund që varionin nga 25 mijë deri në 70 mijë sterlina.

Po ashtu në pikat e kalimit tokësor në disa raste është bërë e mundur sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme në Paund. Një prej rasteve është ai i kapjes së 120 mijë sterlinave fshehur në një lavatriçe. Ky rast u zbulua në pikën doganore të Kakavijës.

Në të gjitha këto raste sasia e Paundëve është sekuestruar dhe personave që u është kapur i është kërkuar të vërtetojnë burimin e tyre. Në rastet kur ata nuk mundet ta bëjnë këtë paratë sekuestrohen dhe ata shkojnë për ndjekje penale për pastrim parash.