Sekuestrohen rreth 4 mijë karta SIM angleze në aeroportin e Tiranës, dyshohet për aktivitet në fushën e mashtrimit kompjuterik

Policia ka sekuestruar rreth 4 mijë karta SIM të mbërritura nga Britania e Madhe në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Kartat që janë të një kompanie britanike ishin dërguar me postë të shpejtë dhe dyshohet se në Shqipëri mund të përdoreshin për qëllime kriminale.

“Njësia “C” për Hetimin e Krimit Kompjuterik, më datë 09.06.2022, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”, pasi në adresë të këtij shtetasi, ka ardhur me postë, në Rinas, një pako postare me 3,991 karta SIM angleze”, njoftoi policia.