Kandidati i VLEN-it për Komunën e Studeniçanit, Sedat Bislimi, gjatë një vizite në Batincë, u takua me familjen Rizvanoviç dhe dëgjoi nga afër shqetësimet e banorëve për mungesën e ujit të pijshëm, problemet infrastrukturore dhe sfidat e përditshme me të cilat përballen.
“Këto probleme nuk janë thjesht fjalë, por realitet i hidhur që banorët e Batincës dhe Studeniçanit e jetojnë çdo ditë. Dhe pikërisht këto realitete janë arsyeja pse unë kam hyrë në këtë garë”, tha Bislimi.
Ai u zotua se me punë dhe përkushtim do të ofrojë zgjidhje konkrete për banorët e komunës.
“Me mbështetjen tuaj, do të bëjmë që uji i pijshëm të mos jetë më luks, por e drejtë e garantuar. Infrastruktura do të jetë prioritet, ashtu si edhe çdo hall tjetër që sot e shprehët me sinqeritet”, deklaroi ai.
Bislimi theksoi se nuk premton “fjalë boshe”, por angazhim të ndershëm për ndryshime reale.
“Bashkë do t’i zgjidhim këto probleme, sepse Batinca e Studeniçani meriton më mirë!” përfundoi ai.