Seancë e re për rastin “Reket”

Në Gjykatën Penale në Shkup sot është caktuar seancë e re e lëndës “Reket” ku të akuzuar janë ish prokurorja speciale, Katica Janeva dhe Bojan Jovanovski- Boki 13.

Lënda gjendet në procedurë të dëshmisë dhe në seancën e sotme duhet të dëgjohen katër dëshmitarë. Rastin e udhëheq gjykatësja Vaska Nikollovska- Masevska, ndërsa përfaqësues i akuzës është Villma Ruskoska.

Prokuroria themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit në tetor të këtij viti parashtroi aktakuzë kundër Jovanovskit, Janevës dhe Milevskit.

I akuzuari i parë, Jovanovski, dyshohet se ka kryer vepër penale “larje parash dhe të ardhura të tjera nga vepra ndëshkuese”, ndërsa Janeva dhe Milevski për “marrje të shpërblimit për ndikim kundërligjor”. E akuzuara e dytë Janeva ngarkohet se ka kryer edhe vepër penale “Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”.

Në kuadër të rastit “Reket”, Prokuroria hapi hetim të ri, i cili ka të bëjë me Lidhjen ndërkombëtare të Bojan Jovanovskit-Boki 13.

Hetimi për rastin “Reket” është zgjeruar, përkatësisht është sjellë urdhër për zbatim të procedurës hetimore kundër pesë personave fizik dhe një personi juridik, për shkak të ekzistimit të dyshimit se i dyshuari i parë ka kryer vepër të zgjatur penale “mashtrim” dhe vepër penale “larje parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”.