Seanca të komisioneve kuvendore

Në Kuvend sot seanca do të mbajnë komisionet për financim dhe buxhet dhe për arsim shkencë dhe sport.

Në rend dite të Komisionit për Financim dhe Buxhet janë Raporti vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Ankesa rreth Furnizimit Publik për vitin 2020, Propozim-vendimin për dhënien e pëlqimit të Planit strategjik të Komisionit Shtetëror për Ankesa rreth furnizimeve publike për vitin 2021, si dhe Propozim-vendimi për punën e Komisionit Shtetëror për Ankesa rreth furnizimeve publike për vitin 2021.

Anëtarët e këtij komisioni do të debatojnë edhe rreth Propozim-vendimit për dhënien e pëlqimit të planit financiar të Planit financiar të Komisionit Shtetëror për Ankesa rreth furnizimeve publike për vitin 2021, si dhe rreth Propozim të ligjit për shitjen e banesave të cilat e kanë origjinën nga fondi banesor të ish APJ apo janë marrë përmes zëvendësimit të pasurisë së paluajtshme që e ka origjinën nga ish APJ-ja dhe janë ndarë për përdorim të personave të punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut – më lexim të dytë, të parashtruar nga deputetët Ilija Nikollovski, Mile Talevski, Llaze Tanevski, Arta Bilalli, Fadil Zendeli, Mirosllav Jovanoviqi.

Komisioni për arsim, shkencë dhe sport sot do të mbajë dy seanca. Njëra është vazhdimi i seancës së caktuar më 4 dhjetor të vitit të kaluar dhe në rend dite është Propozimi i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për arsim të lartë, në lexim të dytë, të parashtruar nga deputetët e shumicës në pushtet.

Në rend dite të seancës së dytë janë Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për parandalim të dhunës dhe sjelljes së pahijshme në ndeshjet sportive dhe Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për veprimtari hulumtuese-shkencore, të dyja në lexim të dytë, si dhe Propozim të ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për arsim fillor, në lexim të parë, të parashtruar nga deputetët e opozitës.