Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e qershorit të mbahet më 6 gusht, duke nisur nga ora 10:00. Bazuar në situatën aktuale, njohësit e zhvillimeve politike thonë se partitë nuk po japin sinjale serioze për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte krijimin e institucioneve të reja dhe shmangien e zgjedhjeve.
“Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, tha Haxhiu në një konferencë për media.
Haxhiu tha se është përgjegjësi e të gjitha partive parlamentare për themelimin e institucioneve të reja, duke shtuar se duhet të shmangen zgjedhjet e reja.
Afati i fundit kushtetues për seancën konstituive ishte 7 gushti.
Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga konstituimi i Kuvendit nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje.
Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor – të tretat brenda një viti e gjysmë.
Caktimi i datës për seancën konstituive vjen në kohën kur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar.
Më 15 korrik, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ishte i detyruar që të pezullonte diskutimet me kreun e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pasi në LDK ka një nismë për shkarkimin e tij nga kreu i partisë.
Më 10 korrik, Kurti u takua ndarazi me Abdixhikun dhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Përderisa Hamza tha pas takimit se partia e tij do të mbetej në opozitë, Abdixhiku shprehu gatishmëri për vazhdimin e takimeve.
LDK-ja ende nuk ka njoftuar se kur do të mund të mbahej Kuvendi i partisë ku do të diskutohej për nismën për shkarkimin e Abdixhikut. Vetë Abdixhiku e ka kritikuar këtë nismë duke thënë se rrezikon që ta lërë vendin pa institucione dhe mund të nxisë zgjedhje të reja në vjeshtë.
Arifi: Partitë s’kanë dhënë sinjale serioze për arritjen e një marrëveshjeje
Politologu Dritëro Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në situatën aktuale, partitë politike nuk kanë dhënë sinjale serioze se mund të arrihet një marrëveshje që do të çonte drejt konsolidimit të të gjitha institucioneve të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Thelbi i problemit, sipas tij, mbetet çështja e zgjedhjes së presidentit të vendit dhe nëse nuk ka zgjidhje për këtë, vendi shkon sërish në zgjedhje.
Sipas tij, për arritjen e një marrëveshjeje, Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë fituese e zgjedhjeve, por edhe tri partitë tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca, kanë pasur kohë të mjaftueshme para dhe pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 8 korrik.
Mundësia eventuale që një marrëveshje tillë të arrihet ndërmjet LVV-së dhe LDK, sipas tij, tashmë nuk duket qartë në horizont, për shkak të zhvillimeve brenda LDK-së.
Arifi nuk pret që LVV-ja të sigurojë, siç e quan ai, një “marrëveshje normale” me cilëndo nga partitë e tjera shqiptare.
“Edhe nëse do të kemi një marrëveshje, me cilëndo parti që mund ta votojë ndonjë president, ajo do të jetë një marrëveshje për kohë të shkurtër. Pra, do të kemi turbulenca derisa partitë të jenë transparente lidhur me ato për të cilat kanë biseduar në takimet e mëhershme”, thekson Arifi për Radion Evropa e Lirë.Teksa PDK-ja ka deklaruar se do të mbetet në opozitë, Aleanca – që ka refuzuar takimin me Kurtin – ka paraqitur disa kushte për bashkëpunim të mundshëm. Ndër kushtet e Aleancës janë që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.
Edhe LDK-ja, para se Kurti dhe Abdixhiku të takoheshin, ka përmendur disa kushte, me Abdixhikun që ka thënë se orientimi strategjik i Kosovës, përfshirë gazi amerikan, “janë parakushti i ekzistencës politike” të LDK-së.
“Me LDK-në do të mund të bëhej diçka, por nëse punët e brendshme të kësaj partie do të ishin në një nivel tjetër. Por, ashtu siç janë gjërat brenda LDK-së tash, nuk besoj që nga ajo mund ta kemi një përgjigje deri në gusht, apo madje edhe deri në fund të shtatorit”, thekson Arifi.
Arifi thotë se tash, kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, gjasat për një marrëveshje janë vetëm teorike.
“Që nga fillimi, logjika e zhvillimeve është karakterizuar me joseriozitet. Tash jemi, pak a shumë, para një akti të kryer. Po vërehet që nuk konsensus, nuk ka marrëveshje, nuk ka bashkëpunim normal”, theksoi Arifi.
Ai shton se barrën dhe përgjegjësinë kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje për një marrëveshje me cilëndo prej partive politike, e bart partia fituese e zgjedhjeve, LVV-ja, por pa përjashtuar edhe pjesën e përgjegjësisë që kanë partitë tjera.
Sipas tij, nga perspektiva aktuale, mundësitë më të mëdha janë që vendi të shkojë në zgjedhje, sesa të gjendet një zgjidhje për t’i shmangur ato.
“Në planin afatgjatë, zgjedhjet nuk i konvenojnë askujt, për asgjë. Në planin afatshkurtër, zgjedhjet i konvenojnë zotit Kurti, sepse prapë është kryeministër në detyrë dhe kështu e vazhdon deri në një vendim të radhës…”, thotë Arifi.
Arifi beson se LVV-ja do të arrijë edhe si parti e vetme, bashkë me deputetët e komuniteteve joserbe, të konstituojnë Kuvendin, e madje edhe të formojë Qeverinë.
Më pas, sipas tij, mosmarrëveshjet për zgjedhjen e presidentit, do ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe vendi do të gjendet në situatën e njëjtë sikurse para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Partia në pushtet, LVV-ja e Kurtit, sipas rezultatit të certifikuar i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse.
Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.
Partia e Kurtit, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe i kanë numrat e nevojshme për këto dy procese. Por, për presidentin kërkohet një marrëveshje politike, pasi duhet prania e 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i ka 18 deputetë, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë në dy rundet e para të votimit.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse Kosova mban sërish zgjedhje, atëherë ato do të ishin votimet e katërta parlamentare që nga shkurti i vitit të kaluar./REL



