Seanca e sotme ndaj Salih Mustafës shtyhet për 17 shkurt

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Kosovë ka bërë të ditur se për sot nuk do të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Me anë të një njoftimi të lëshuar thuhet se seanca është shtyrë për 17 shkurt.

“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të ZPS-së, gjykimi ndaj Mustafës përfundoi për këtë javë. Seanca e ardhshme është caktuar për datën 17 shkurt kur do të mbahen konferenca përgatitore për Mbrojtjen dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave”, thuhet në njoftim.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni përfundimtar u bë publik më 28 shtator 2020. Kundër tij janë ngritur akuza mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale dhe përgjegjësisë penale si epror për katër krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.