Sean “Diddy” Combs dënohet me katër vjet burg për akuza që lidhen me prostitucionin

Një gjykatës federal në New York e dënoi Sean “Diddy” Combs me 4 vjet e 2 muaj burg, pas shpalljes fajtor për dy akuza për transport me qëllim prostitucioni.

Secila prej tyre kishte një maksimum prej 10 vitesh. Prokurorët kishin kërkuar 11 vjet e 3 muaj, ndërsa avokatët mbrojtës vetëm 14 muaj. Ai u urdhërua gjithashtu të paguajë një gjobë prej 500,000 dollarësh (475,000 euro).


Combs, 55 vjeç, ishte arrestuar në shtator 2024 dhe ka kaluar 13 muaj në paraburgim, të cilët do t’i zbriten nga dënimi. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, trafikim seksual dhe shantazh që mund t’i sillnin burgim të përjetshëm, shkruan The Guardian.

Në gjyqin e nisur më 12 maj, prokurorët argumentuan se për dy dekada Combs përdori pasurinë, pushtetin dhe dhunën për të detyruar ish-partneret e tij të merrnin pjesë në “netë hoteli” të mbushura me drogë e eskorta meshkuj, të cilat ai i orkestronte, i shikonte dhe ndonjëherë i filmonte.

U paraqitën mbi 30 dëshmitarë, mes tyre Cassie Ventura dhe një grua me pseudonimin “Jane”, të cilat e akuzuan për abuzim fizik, seksual dhe emocional. Në gjyq u shfaq edhe një video e vitit 2016 ku Combs dhunon Venturën në një hotel.

Avokatët e tij e mohuan trafikimin dhe pohuan se marrëdhëniet ishin konsensuale, duke i quajtur pjesë e një “stili jetese”.

Ata përmendën edhe varësinë nga opioidet si faktor. Në prag të dënimit, Combs i kërkoi gjykatës mëshirë dhe pranoi “sjelljen e turpshme”, duke thënë se “humbi rrugën në drogë dhe tepri”.

Ventura, në një deklaratë për gjykatën, kërkoi dënim të rëndë dhe tha se ende vuan pasoja psikologjike e jeton me frikën e hakmarrjes. Pas vendimit, avokati i saj tha se dënimi njeh seriozitetin e krimeve dhe lavdëroi guximin e saj.

Përveç çështjes penale, Combs përballet me mbi 50 padi civile për abuzim seksual e sjellje të tjera të pahijshme, të cilat ai i mohon.