Sead Zimeri: Për shqipen në Maqedoni, asnjë kompromis!

Është e domosdoshme që shteti maqedonas jo vetëm ta njohë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare plotësisht e barabartë, por që të gjithë maqedonasit ta mësojnë gjuhën shqipe, njëjtë sikur ne mësojmë gjuhën maqedonase. Nuk mund të ketë asnjë kompromis, asnjë lëshim kur është në pyetje gjuha jonë. Është singulariteti i qenies sonë. Kur nuk na njihet gjuha, nuk na njihet qenia jonë

Nga Sead ZIMERI

Kohët e fundit isha në Maqedoninë e Veriut. Ajo që më ra në sy menjëherë ishte kjo: tabelat rrugore, shenjat publike, mbishkrimet institucionale, pothuajse gjithçka ishte në maqedonisht dhe anglisht. Shqipja mungonte. Në një shtet ku shqiptarët përbëjnë një të tretën e popullsisë, ku jetojnë në trojet e tyre historike prej shekujsh, gjuha e tyre nuk ishte e dukshme në hapësirën publike. Kjo është shprehje e një rendi ku gjuha shqipe funksionon si gjuhë e kategorisë së dytë.

Për ta kuptuar thellësinë e kësaj padrejtësie, ndihmon një dallim. Kur një komunitet migrant hyn në një rend politik tashmë të formuar, pranimi i gjuhës zyrtare të atij rendi është kusht legjitim i integrimit; askush nuk i bëhet padrejtësi nga fakti që duhet ta mësojë gjuhën e vendit ku ka zgjedhur të jetojë. Gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është krejtësisht tjetër. Shqiptarët nuk erdhën në Maqedoni; shteti i Maqedonisë u ndërtua mbi trojet ku shqiptarët jetonin tashmë, pa pëlqimin e tyre, me kufij të vizatuar nga fuqi të jashtme. Kur një shtet i formuar në këtë mënyrë e trajton gjuhën e një populli autokton si dytësore në institucionet e veta, ai po imponon kushte që ky popull nuk i pranoi kurrë. Ky është dominim: ushtrimi i pushtetit mbi një popull pa pëlqimin e tij. Njohja formale e gjuhës shqipe, kur shoqërohet me zbatim selektiv dhe me status real dytësor, funksionon si tolerancë pa njohje, si diçka që shumica mund ta japë ose ta tërheqë sipas vullnetit të saj. Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk kërkon njohje si mirësi por si e drejtë që rrjedh nga prania historike e shqiptarëve në këto troje dhe nga fakti që shteti u ndërtua edhe mbi ta.

Gjuha është forma e shprehjes së qenies së njeriut, forma më e përsosur e lirisë dhe e barazisë. Kur nuk të njihet gjuha si e drejtë natyrore, nuk të njihet as liria dhe as barazia si e drejtë qytetare. Por njëkohësisht, kur nuk mund të shprehesh në gjuhën tënde, por detyrohesh të shprehesh në gjuhën e imponuar, atëherë menjëherë vendosesh në një pozitë jo të barabartë, dhe kjo të ngjall ndjenjat e inferioritetit, sepse tjetri që shprehet në gjuhën e tij, e që e flet bukur dhe rrjedhshëm, të bën të ndjehesh jo adekuat. Gjuha nuk është vetëm çelësi i lirisë, por shtëpia e qenies, aty ku ne jemi vetja jonë. Kur dikush të detyron të flasësh në një gjuhë të huaj, të detyron të dalësh nga qenia jote. Nuk mund të jesh i lirë, nuk mund të ndjehesh i lirë dhe i barabartë përderisa nuk shprehesh në gjuhën që e zotëron më së miri.

Korniza e Marrëveshjes së Ohrit, që supozohet se e rregulloi çështjen gjuhësore, ka dështuar. Dy dekada përvojë e tregojnë qartë: ligji për gjuhët zbatohet selektivisht, statusi zyrtar i shqipes mbetet formal, dhe autoritetet maqedonase e trajtojnë çdo hap drejt barazisë gjuhësore si koncesion që duhet kundërshtuar. Koha ka ardhur për një kontratë të re shoqërore, ku gjuha shqipe njihet plotësisht si gjuhë e barabartë e shtetit, ku përfaqësimi i shqiptarëve reflektohet në çdo institucion, dhe ku barazia fillon pikërisht nga aty ku është më e dukshme dhe më e ndjeshmja: nga gjuha. Prandaj, është e domosdoshme që shteti maqedonas jo vetëm ta njohë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare plotësisht e barabartë, por që të gjithë maqedonasit ta mësojnë gjuhën shqipe, njëjtë sikur ne mësojmë gjuhën maqedonase. Nuk mund të ketë asnjë kompromis, asnjë lëshim kur është në pyetje gjuha jonë. Është singulariteti i qenies sonë. Kur nuk na njihet gjuha, nuk na njihet qenia jonë.