Së paku 40 të vrarë në sulmin në një sallë koncertesh pranë Moskës

Së paku 40 persona u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën, pasi sulmues të armatosur qëlluan një sallë koncertesh në periferi të Moskës, thanë autoritetet ruse.

Sipas tyre, ngjarja ndodhi në sallën e koncerteve Crocus City në Krasnogorsk, afër Moskës, mbrëmjen e së premtes.

Shpërthime të njëpasnjëshme u raportuan, po ashtu.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë, siç tha, “këtë sulm të përgjakshëm terrorist”.

Videot e shpërndara në rrjetet sociale treguan persona të armatosur duke hyrë në sallë dhe duke hapur zjarr, përpara fillimit të një koncerti nga grupi muzikor rus, Piknik.

Në vendngjarje ndodhen forca speciale të sigurisë dhe policë të shumtë.

“Sipas informacioneve paraprake, 40 persona u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën si rezultat i një sulmi terrorist në sallën Crocus City”, tha Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB).

Në një deklaratë për opinionin, FSB-ja tha se po merren të gjitha masat e mundshme “për t’u dhënë ndihmë të prekurve” nga kjo ngjarje.

RIA-Novosti raportoi se së paku tre persona të armatosur ishin të përfshirë dhe tha se ata duket se kanë hapur zjarr me pushkë automatike.

Interfax raportoi se ishin së paku pesë sulmues.

Salla është një vend i njohur koncertesh, ku mbahen aktivitete artistike e të tjera.

“Një tragjedi e tmerrshme ndodhi sot në Crocus City”, citoi Reuters kryebashkiakun e Moskës, Sergei Sobyanin. “Më vjen keq për të dashurit e viktimave”, tha ai.

Më 7 mars, Ambasada e SHBA-së në Moskë lëshoi një alarm sigurie, pasi, siç tha, mori raporte se “ekstremistët kanë plane për të sulmuar tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncerte”.

Në atë kohë, qytetarët amerikanë u këshilluan “t’i shmangin grumbullimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”./REL