Kancelari gjerman Olaf Sholc sot në Prishtinë deklaroi se nuk ka vend në Bashkimin Evropian për vendet që nuk e njohin njëra-tjetrën dhe se rruga e Kosovës drejt BE-së është e lidhur me dialogun me Serbinë.
Ai në konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se është e rëndësishme që Kosova të lëvizë dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
“Kosova dhe Serbia duhet të çojnë në zgjidhje politike përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Dialogu është një rrugë që hap perspektivë evropiane për Kosovën. Marrëveshja politike mes dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për perspektivën e rinisë në Kosovë. Marrëveshja duhet të zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra tjetrën të bëhen pjesë e BE-së. Të dyja palët duhet të afrohen më shumë me njëra-tjetrën, tha Sholc.
Ai shtoi se i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak ka mbështetjen e Gjermanisë, ndërsa dialogu është një platformë që i hap rrugën Kosovës në rrugën evropiane.
I pyetur nëse Serbia nuk kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë, Sholc tha se çdo vend kandidat për në BE duhet ta harmonizojë legjislacionin e tij, si dhe politikën e tij të jashtme, me atë të Bashkimit Evropian.
Ai tha se është i përkushtuar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.




