Scholz: Putin po përsërit gabimet

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se vendimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm është një vendim i gabuar i marrë me panik.

Në një deklaratë për “Kölnische Rundschau” dhe “Osnabrücker Zeitung”, kancelari Scholz duke iu referuar vendimit për mobilizim të pjesshëm tha: “Ky është reagim i dhënë edhe me pak panik kundër dështimit të forcave të armatosura ruse në lindje të Ukrainës. Kjo situatë shkakton shqetësim në masë të madhe në Rusi. Putin po bën gabim pas gabimi”.

Duke mbrojtur sanksionet që zbatohen ndaj Rusisë në luftën e Ukrainës, Scholz u shpreh se “Sanksionet janë jashtëzakonisht efektive. Qëllimi i sanksioneve është që ta bëjë qeverinë ruse të kuptojë se fushata e saj është plotësisht pa kuptim. Vladimir Putin mund ta përfundojë menjëherë këtë luftë duke tërhequr ushtarët e tij dhe më pas të përqendrohet në bisedimet me Kievin”.

Ai tha se situata në Ukrainë është shumë dinamike dhe e kanë analizuar vazhdimisht situatën. “Armët që kemi siguruar janë shumë efektive. Ndonjëherë habitem që disa kritikë sillen sikur ne furnizojmë vetëm helmeta”, tha Scholz.