“Sarajevo Safari”, paralajmërohet padi kundër Vuçiqit edhe në Serbi

Avokati Çedomir Stojkoviq ka njoftuar se do të paraqesë padi kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq në prokurorinë e Beogradit, për shkak të akuzave për pjesëmarrjen në “Sarajevo Safari”.

Në fillim të njoftimit të tij, Stojkoviq deklaroi se këto akuza duhet të hetohen edhe në Serbi, dhe jo vetëm në Itali, ku edhe nisi hetimi.

“Nuk ka asnjë arsye që zyra e prokurorit në Milano të hetojë krimin Sarajevo Safari dhe pjesëmarrjen e Aleksandar Vuçiq në të. Unë do të paraqes një kërkesë për hetim në Prokurorinë për Krime Lufte dhe në Prokurorinë për Krim të Organizuar në lidhje me Sarajevo Safari në Sarajevë”, tha Stojkoviq.

“Sipas dëshmive ekzistuese, turet u organizuan përmes Beogradit dhe vetë Aleksandar Vuçiq është shtetas i Serbisë. Ekziston një detyrim që zyra e prokurorit në Beograd t’i bashkohet hetimit dhe të përfshijë të gjithë të dyshuarit, veçanërisht Aleksandar Vuçiqin”, shtoi avokati serb.

Ndryshe, Sarajevo Safari është pjesëmarrja e dyshuar e shtetasve të huaj që paguan shuma të mëdha parash për të qëlluar me snajper qytetarët e Sarajevës gjatë rrethimit të kryeqytetit të Bosnjës dhe Hercegovinës nga viti 1992 deri në vitin 1995.
Sa i përket Vuçiqit, ai mohoi pjesëmarrjen në operacione ushtarake gjatë rrethimit të Sarajevës, duke thënë se punonte si gazetar.