“Sarajevo Safari” dhe hija e Kosovës: A ka pasur Ballkani drejtësi me dy standarde?

Fejzi HAJDARI

Ka një pyetje që nuk mund të varroset bashkë me dosjet e vjetra të luftërave të Ballkanit: A ka qenë drejtësia ndërkombëtare gjithmonë drejtësi – apo ndonjëherë edhe instrument i politikës?
Historia e “Sarajevo Safari” e rikthen këtë pyetje me një forcë të frikshme.
Pretendimet janë të tmerrshme: gjatë rrethimit të Sarajevës (!992-1995), të huaj me para dhe lidhje dyshohet se janë dërguar në pozicionet e forcave serbe të Bosnjës, për të qëlluar (vrarë) mbi civilë. Pretendimet nuk janë të reja, ndërsa hetimet e mëvonshme kanë rikthyer çështjen në vëmendjen publike.
Por, ende duhet bërë dallimi i domosdoshëm: pretendimi nuk është provë dhe emrat e përfolur, nuk mund të shpallen fajtorë pa prova. Pikërisht këtu qëndron skandali më i madh.

Nëse është gënjeshtër – pse nuk është rrëzuar përfundimisht?
Nëse është e vërtetë – pse u deshën rreth tri dekada që të rikthehej në qendër të vëmendjes?
Dhe nëse ka pasur njerëz nga elitat politike, ushtarake apo të inteligjencës që kanë ditur diçka, kush ka pasur interes që dosjet të mos hapen?
Këtu fillon edhe hija e Kosovës, sepse sot, pas vendimit të 16 shtatorit 2026, katër nga figurat kryesore të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime lufte. Gjykata i shpalli fajtorë për ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, me dënime nga 13 deri në 25 vjet.
Dhe këtu nuk është çështja të thuhet se vendimi është “i drejtë” apo “i padrejtë”.
Çështja është shumë më e madhe: A mund të jetë drejtësia ndërkombëtare selektive? A mund të ndodhë që për disa dosje të mobilizohet një makineri e tërë ndërkombëtare – hetues, prokurorë, gjykatës, dëshmitarë, vite procedurash – ndërsa për dosje të tjera, sidomos kur ato mund të prekin struktura shtetërore, shërbime inteligjente ose interesa të fuqive të mëdha, gjithçka të ecë me ritëm tjetër?
Nëse përgjigjja është “PO”, atëherë problemi nuk është vetëm juridik, por është gjeopolitik, sepse në Ballkan, luftërat nuk janë bërë vetëm me tanke, pushkë dhe snajperë. Janë bërë edhe me dosje, informacione, shërbime sekrete, aleanca dhe pazare diplomatike.
Dhe kjo e sjell pyetjen më të pakëndshme:
A mund të ketë ekzistuar ndonjë lloj pazari gjeopolitik rreth Kosovës, ku Serbia ka pasur informacione, interesa apo lidhje që kanë ndikuar në mënyrën se si është trajtuar paslufta e Kosovës?
Nuk kemi të drejtë ta paraqesim këtë si fakt pa prova, por kemi të drejtë ta shtrojmë si pyetje, për shkak se një gjë është e sigurt: Serbia nuk ka qenë një aktor periferik në tragjeditë e Ballkanit. Ajo ka qenë pjesë qendrore e konfliktit dhe e politikës rajonale. Dhe shërbimet sekrete të shteteve nuk janë institucione që i tregojnë publikisht të gjitha kartat.
Prandaj, kur dalin pretendime për rrjete, ndërmjetës, informatorë, shërbime dhe marrëdhënie të fshehta, përgjigjja nuk duhet të jetë as “komplot”, as “heshtje”.
Përgjigjja duhet të jetë: hapni dosjet! Sepse, nëse nuk ka asgjë, dokumentet e rrëzojnë dyshimin, por nëse ka diçka, dokumentet mund ta tregojnë.
Dhe këtu lind një kontrast që nuk mund të injorohet. Për UÇK-në u ndërtua një proces gjyqësor ndërkombëtar që zgjati vite dhe përfundoi me dënime.
Ndërkohë, për “Sarajevo Safari” – një pretendim që, nëse vërtetohet, do të ishte një njollë monstruoze mbi vetë idenë e qytetërimit evropian – ende flitet për hetime, dokumente dhe prova që duhet të verifikohen.
Pse? Kjo është pyetja. Jo përgjigjja.
Dhe ndoshta këtu duhet kërkuar edhe kuptimi i vërtetë i “kurbanizimit” të Kosovës. Jo në teorinë se dikush u ul një ditë rreth një tavoline dhe vendosi: “Tani do t’i sakrifikojmë krerët e UÇK-së”. Kjo do të ishte shumë e lehtë për t’u thënë dhe shumë e vështirë për t’u provuar.
Kurbanizimi, nëse ka ekzistuar, mund të ketë qenë shumë më kompleks: një kombinim interesash, dosjesh, heshtjesh, kalkulimesh diplomatike dhe nevojash gjeopolitike. Dhe pikërisht këtë duhet ta kërkojë gazetaria: jo një komplot të gatshëm, por dokumentin që e provon ose e rrëzon.
Për shkak se nëse drejtësia është universale, atëherë ajo duhet të jetë universale edhe kur të akuzuarit janë shqiptarë, serbë, boshnjakë, amerikanë, gjermanë apo pjesëtarë të çdo elite tjetër.
Nëse krimi është krim, nuk duhet të ketë pasaportë. Nëse viktima është viktimë, nuk duhet të ketë kombësi të preferuar. Nëse një fëmijë i Sarajevës është vrarë nga një snajper, drejtësia duhet të kërkojë kush e tërhoqi këmbëzën.

Por, duhet të kërkojë edhe: Kush e solli snajperin? Kush e lejoi? Kush e dinte? Kush e financoi? Kush e mbuloi? Dhe kush heshti?
Dhe nëse në anën tjetër të historisë së Kosovës ka pasur krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së, edhe ato duhet të hetohen dhe gjykohen mbi prova.
Por drejtësia nuk mund të bëhet një spektakël ku njëra anë e historisë ndriçohet me projektor dhe ana tjetër lihet në errësirë.
Kjo është pikërisht arsyeja pse “Sarajevo Safari” dhe Kosova mund të vendosen në të njëjtin kontekst gazetarie: jo sepse njëra provon tjetrën, por sepse të dyja ngrenë të njëjtën pyetje mbi standardin e drejtësisë ndërkombëtare.
Kush vendos se cilat dosje hapen? Kush vendos se cilat dosje presin? Kush vendos se cilët emra bëhen publikë? Dhe, kush vendos se kur “interesi ndërkombëtar” është më i rëndësishëm se e drejta e viktimës për të ditur të vërtetën?

Për shkak se ndoshta problemi më i madh i Ballkanit nuk ka qenë vetëm se politikanët kanë pasur dy fytyra.

Problemi është se edhe politika ndërkombëtare, shpesh duket sikur flet me një fytyrë, negocion me një tjetër, mendon me një të tretë dhe vepron me një të katërt.
Në konferenca: “Drejtësi.”
Në deklarata: “Të drejtat e njeriut.”
Në dosje: “Interes strategjik.”
Dhe pas dyerve të mbyllura: “Realpolitikë.”
Prandaj pyetja e vërtetë nuk është vetëm: Çfarë ka ndodhur në Sarajevo?
Është: Çfarë tjetër nuk dimë për Ballkanin?
Bile-bile: A është Kosova një prej atyre historive ku viktima është përdorur si monedhë në një lojë shumë më të madhe se vetë lufta?
Këtë nuk e vërteton një koment. Nuk e vërteton as një teori. E vërtetojnë vetëm arkivat, dëshmitë, dokumentet dhe provat.
Prandaj hapini, sepse pas 30 vjetësh, viktimat e Sarajevës nuk kanë nevojë për konferenca. Kanë nevojë për të vërtetën. Dhe viktimat e Kosovës nuk kanë nevojë për mite. Kanë nevojë për drejtësi – të njëjtë për të gjithë…