Saraçini: Gazetarë shqiptarë, drejtohuni Mizrahit në gjuhën shqipe

Gazetari Petrit Saraçin, njëherazi dhe aktivist në shoqërinë civile, përmes një statusi në fejsbuk ka reaguar kundër ministres teknike Mizrahi ku gjatë ditës së sotme ajo kishte deklaruar se ishte e gatshme të paguante gjobën 5 000 euro dhe mos e respektonte gjuhën shqipe. Saraçini i kujton ministres Mizrahi se populli shqiptar, gjuhën e të cilit ajo nuk dëshiron ta respektojë, është pikërisht ai komb shqiptar që shpëtoi mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fund ai e mbyll statusin e tij me një apel për gazetarët shqiptar që t’i drejtohen ministres vetëm në gjuhën shqipe, dhe të presin reagimin e saj.

Reagimi i plotë në fejsbuk:

Dua të kujtoj ministren teknike Mizrahi se populli shqiptar, gjuhën e të cilit ajo nuk dëshiron ta respektojë dhe madje shprehet e gatshme të paguajë dënim për shkeljen e ligjit dhe mosrespektimin e gjuhës, është pikërisht ai komb shqiptar që shpëtoi mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Për dallim nga karakterët me të cilët mburren anëtarët e partisë të saj, si Vanço Mihajllov e të tjerë, të cilët i shërbenin nazizmit në atë kohë dhe ndihmuan Holokaustin dhe shfarosjen masive të hebrenjve.

Qoftë dhe nga Mizrahi, shumë është! U teprua! Për përhapjen e shqiptarofobisë institucionale, ministre Mizrahi, të paktën në mesin e shqiptarëve, nuk do t’ju kalojë mbrojtja nga gjoja antisemitizmi. Të lëmë anësh atë që jeni në shoqërinë e atyre që kërkonin “dhoma gazi për ‘shqiptarët’ “. Duke e bërë këtë sot, ju tregoni se nuk jeni vetëm bashkë-partiakë me ta, por jeni dhe bashkëmendimtarë.

P.S Inkurajoj kolegët gazetarë shqiptarë që pyetjet e ardhshme në secilën pres konferencë të ministres teknike Mizrahi ti shtrojnë në shqip. Të shohim se çfarë përgjigje do të marrin.