“Sapo erdhi më tha se nuk jam në planet e tij”, ish ylli i Man Utd zbulon vështirësitë me Ten Hag

Mbrojtësi Aaron Wan-Bissaka ka reflektuar mbi rrugëtimin e tij te Manchester United që nga transferimi nga Crystal Palace në vitin 2019, duke kujtuar mbështetjen e hershme që mori nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaer dhe sfidat me të cilat u përball pas ndryshimeve në pankinë.

Mbrojtësi i djathtë u vendos shpejt si një figurë kyçe te United, duke nisur më shumë ndeshje se çdo lojtar tjetër në pesë ligat kryesore të Evropës në sezonin 2020/21.

“Marrëdhënia ime me Olen ishte e mirë që nga fillim. Ai është një person i shkëlqyer dhe u përshtatëm shumë mirë, dhe mendoj se edhe pjesa tjetër e lojtarëve ndiheshin njësoj për të. Ai është lloji i trajnerit që të mbështet menjëherë. Pasi të jep një detyrë, varet nga ti të besosh në veten dhe të dalësh në fushë për ta realizuar”, kujton ai.

Megjithatë, ndryshimet e trajnerëve më vonë vunë në provë vazhdimësinë e Wan-Bissaka. Nën drejtimin e Ralf Rangnick dhe Erik ten Hag, ai u përball me kritika dhe pasiguri rreth rolit të tij.

“Natyrisht, është futboll, çdo trajner ka preferencat e veta. Mund të të pëlqejnë ose jo, dhe kjo është pjesë e lojës. Kur erdhi ai (Rangnick), nuk ishte periudha më e mirë për mua dhe pati shumë kritika përreth…

“Ishte e vështirë kur erdhi Erik ten Hag – sapo mbërriti, më tha se nuk isha në planet e tij. Por kur tentova të largohesha, ai tha se nuk donte që të ikja. Nuk e kuptoja. Kjo ishte e vështirë mendërisht, sepse më la të pyesja veten se çfarë duhej të bëja më pas”.

“Thjesht mbajta kokën ulur dhe i thashë vetes të vazhdoja stërvitjen, të përmirësohesha dhe të luaja lojën time. Megjithatë, të qëndrosh i motivuar ishte e vështirë, sidomos kur stërvitesh pa një qëllim të qartë për të luajtur.

“Por njerëzit rreth meje më udhëzuan në mënyrën e duhur dhe më inkurajuan të vazhdoja. Me kalimin e kohës gjërat ndryshuan dhe filluan të përmirësohen. Mund të thuhet se ndryshova ose u zhvillova taktikisht nën drejtimin e tij, sepse kjo ishte diçka që ai e kërkonte”, përfundoi Aaron.

Wan-Bissaka pastaj vendosi të largohet në vitin 2024 për t’iu bashkuar West Ham Unitedit.