Ndikimi i Rusisë në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore pritet të bjerë ndërsa ushtria e saj po përballet me vështirësi në Ukrainë dhe ekonomia e saj po përjeton pasojat e sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, thonë ekspertët.
Rusia ka ushtruar prej kohësh ndikim në pesë vende të rajonit – Uzbekistan, Kazakistan, Kirkistan, Turkmenistan dhe Taxhikistan – për shkak të të ardhurave të emigrantëve nga këto vende që punësohen në Rusi, thotë Jennifer Brick Murtazashvili, drejtuese e Qendrës për Qeverisjen dhe Tregjet në Universitetin e Pitsburgut.
Të dhënat e publikuara në muajin mars nga Banka Botërore nënvizojnë rëndësinë e këtyre të ardhurave, për të cilat ajo thotë se në disa raste “ishin të krahasueshme, ose edhe më të mëdha, se eksportet e mallrave dhe shërbimeve nga këto vende”.
“Në të kaluarën, vendet e Azisë Qendrore i druheshin Rusisë për shkak se e kuptonin që (marrëdhënia e tyre ekonomike) do të ndryshonte në rast se ofendonin Moskën”, i tha Zërit të Amerikës zonja Murtazashvili. Por, thotë ajo, balanca ka ndryshuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe këto pesë vende “tashmë e kuptojnë se Rusia ka nevojë shumë të madhe për krahun e punës nga Azia Qendrore”.
“Këto vende e kuptojnë se tashmë kanë ndikim dhe po fillojnë të kuptojnë se mund ta ushtrojnë atë”, tha ajo. “Momentalisht, shohim një Azi Qendrore më të fortë që do të ketë më shumë liri për të zgjedhur mes fuqive të mëdha”.
Dobësia e Rusisë i çel derën Kinës për të luajtur një rol më të madh në rajon, por shton mundësitë edhe për vende të tjera që dëshirojnë të bëjnë biznes në rajon, thotë zonja Murtazshvili.
Të martën, pikërisht tre muaj pasi Rusia filloi agresionin në Ukrainë, Kina premtoi 37.5 milionë dollarë “asistencë falas financiare” për Uzbekistanin “për zbatimin e projekteve të përbashkëta me domethënie sociale”, sipas njoftimeve të bëra nga qeveria uzbeke.
Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri i Uzbekistanit për investimet dhe tregëtinë e jashtme, Aziz Voitov, dhe ambasadori kinez në Tashkent, Jiang Yan, sipas një deklarate të publikuar në faqen në internet të Ministrisë së Investimeve dhe Tregëtisë së Jashtme të Uzbekistanit.




