Nikola Sanduloviç, kryetar i Partisë Republikane në Serbi dhe njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan, ka dërguar një letër të hapur Ambasadës Amerikane në Prishtinë ku kërkon rishqyrtimin e vendimit për lejimin e pjesëmarrjes së “Listës Serbe” në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, përcjell INA.
Në letrën e tij, Sanduloviç argumenton se përfaqësuesit e lartë të “Listës Serbe” kanë lidhje me krime të rënda gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnjë, duke përfshirë:
-pjesëmarrje në demonstrata të dhunshme ku janë lënduar anëtarë të KFOR-it,
-përfshirje në tregti armësh dhe narkotikësh,
-lidhje me vrasjen e liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq,
dhe sulme terroriste në fshatin Banjskë.
Ai thekson se “Lista Serbe” nuk është parti politike, por një organizatë kriminale e mbështetur nga regjimi nacionalist i Beogradit, e cila vepron kundër stabilitetit dhe bashkëjetesës në Kosovë.
Sanduloviç bën apel për ndalim të plotë dhe të përhershëm të veprimtarisë politike të kësaj liste, duke sugjeruar që kështu do të hapet rruga për partive të reja serbe që do të veprojnë pa ndikimin e regjimit nga Serbia.
Letra e hapur e kryetarit të Partisë Republikane ka ngjallur debat të fortë politik dhe diplomatik dhe thekson rëndësinë e monitorimit të grupeve me histori kriminale dhe ndikim të jashtëm në politikën vendore.
Sandulović është gjithashtu i njohur për angazhimin e tij në promovimin e pajtimit dhe përpjekjet për të kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. 
Në fillim të vitit 2024, ai u bë objekt i një incidenti të rëndë kur u arrestua dhe u torturua nga shërbimi sekret serb (BIA) pas një vizite në varrin e Adem Jasharit, një lider i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky akt u pasua nga një dënim me burgim prej 30 ditësh. Pas incidentit, Sandulović ka raportuar se ka mbetur i paralizuar në anën e majtë të trupit dhe po vuan nga dëmtime nervore. (INA)