Samiti i Paqes, Osmani: Rikonfirmojmë mbështetjen për lirinë e Ukrainës

Në Samitin e Paqes për Ukrainën që po mbahet në Burgenstok të Zvicrës, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës.

Osmani sot është pritur nga Presidentja e Zvicrës, Viola Amherd dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Ajo ka thënë se bashkë me liderët nga e gjithë bota janë mbledhur në Samitin e Paqes për ta mbështetur Ukrainën.

“Ne jemi këtu për të rikonfirmuar mbështetjen tonë për lirinë e Ukrainës!”, ka thënë Osmani.

Në Samitin e Paqes, që mbahet më 15 dhe 16 qershor në Bürgenstock të Zvicres do të marrin pjesë afër 100 liderë e përfaqësues të tjerë të shteteve nga mbarë bota.

Sipas njoftimit, në këtë samit liderët botërorë do të diskutojnë për rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën dhe do të përqendrohet në rëndësinë e arritjes së paqes në Ukrainë.