Profesori universitar Argëtim Saliu ka drejtuar kritika të ashpra ndaj propozim-ligjit për arsimin e lartë, duke vlerësuar se iniciativa e Qeverisë dhe e Ministrisë së Arsimit rrezikon autonominë e universiteteve. Sipas tij, projektligji parasheh krijimin e organeve paralele brenda universiteteve dhe rrit ndikimin e institucioneve shtetërore në funksionimin e universiteteve dhe cenon pavarësinë e cila sipas Saliut, është e garantuar me Kushtetutë.
Saliu thotë se ky propozim ligj ka ardhur pa dëshirën dhe vullnetin e botës akademike dhe profesorëve por me insistim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në një prononcim për TV Shenja, ai sqaroi se në hartimin e propozim ligjit, nuk ka marrë pjesë asnjë profesor shqiptar, duke demantuar kështu ministren Janevska.
ARGËTIM SALIU, PROFESOR UNIVERSITAR
“Parashifet formimi i disa organeve siç është këshilli i universitetit. e cila dmth ka kompetenca ose tentohet të ketë kompetenca me organin më të lartë të universiteteve siç është senati i universiteteve. Ky këshill të formohet me përfaqësues nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe me përfaqësues nga Odat Ekonomike. Kjo drejtëpërdrejtë ndiikon në thyerjen e autonomisë së universiteteve. Në çdo kërkesë dhe vendim duhet të merret pëlqim nga MASH dhe nga Ministria e Financave. Këtu parashtrohet pyetja themelore, ku mbeti autonomia e universiteteve”.
Sipas Saliut, nga ky propozim ligj, shumë profesorë universitarë rrezikojnë të humbin vendin e punës. Ai tha se para se të sjellin këtë ligj, Qeveria dhe Ministria duhet të interesohen në përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe vështirësive elementare me të cilët përballen universitetet në RMV.
ARGËTIM SALIU, PROFESOR UNIVERSITAR
“Poashtu si një nga kriteret shumë të repta , kritere që mund tu shkaktojë edhe largim nga puna për vet profesorët është publikimi në revistat shkencore të cilat janë revista goxha të vështira përsaipërket botimit të punimeve, sepse aty kërkohen mjete të larta financiare dhe aspekti kohorë është i tejzgjatur, për publikimin e një punimi. Ndërsa aty kërkohen nga 6 apo 7 punime të publikohen, brenda 5 viteve dhe nëse nuk arrihen atëherë profesori mund të humbasë vendin e punës”.
Kjo nuk është hera e parë që profesorët universitarë ngrejnë zërin kundrejtë këtij projekt ligji. Së fundi, 200 profesor shqiptar me peticion kundërshtuan të njëjtin. Kundër ligjit në fjalë reagoi edhe ish ministrja e Arsimit, Renata Deskoska. Pavarësisht kritikave dhe kundërshtive, Qeveria dhe ministria është e vendosur në miratimin e të njëjtit dhe kanë deklaruar disa herë se nga i njëjti nuk do të tërhiqen.





