Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, mori pjesë sot në një takim të rëndësishëm si anëtare e Grupit Ndërpartiak për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, me përfaqësues të Bankës Botërore dhe ekipin e projektit SIAP.
Në fjalën e saj, Saliu informoi të pranishmit për hapat konkretë që janë ndërmarrë deri tani në mbështetje të kësaj kategorie qytetarësh, duke theksuar vendosmërinë për të çuar përpara bashkëpunimin institucional dhe ndërkombëtar në këtë drejtim.
Ndër temat kryesore të diskutimit ishin vendosja e një sistemi të ri për vlerësimin dhe regjistrimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe përgatitja e Ligjit për Rehabilitim Profesional dhe Punësimin e tyre.
“Angazhimi ynë është i qartë dhe i pakushtëzuar: çdo person meriton mundësi të barabarta dhe përkrahje të dinjitetshme”, theksoi Saliu, duke shtuar se përkushtimi i institucioneve duhet të reflektohet në zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.