Sali: Zvicra mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Christoph Sommer, ku në fokus kanë qenë bashkëpunimi dypalësh dhe procesi i integrimit evropian të vendit.

Në një status të publikuar pas takimit, Sali theksoi se Zvicra është ndër partnerët më të rëndësishëm të vendit, duke vënë në pah mbështetjen shumëvjeçare përmes projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Zvicra është një nga partnerët më të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut, që prej vitesh na mbështet me projekte konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve,” shkroi Sali.

Ai bëri të ditur se në fillim të takimit ka shprehur keqardhje të thellë dhe ngushëllime për ngjarjen tragjike të ndodhur në Zvicër, ku humbën jetën shumë persona.

Sipas Salit, gjatë takimit është diskutuar gjerësisht për procesin e integrimit evropian, reformat që po zbatohen dhe prioritetet e Ministrisë për Çështje Evropiane në periudhën e ardhshme.

“Biseduam për procesin e integrimit evropian, reformat që po zbatohen dhe prioritetet e ministrisë, me fokus të veçantë në forcimin e koordinimit dhe përgatitjen më të mirë të strukturave për negociatat me Bashkimin Evropian,” theksoi ai.

Zëvendëskryeministri shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Maqedonisë së Veriut dhe për kontributin e saj në projekte që, sipas tij, sjellin përmirësime reale për qytetarët. Ai nënvizoi se bashkëpunimi me partnerë të besueshëm si Zvicra mbetet thelbësor për suksesin e reformave dhe për afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.