Deputeti i VLEN-it, Bekim Sali, ka vlerësuar lart konventën promovuese të kandidatëve të kësaj force politike për komunat shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke e quajtur atë një natë historie dhe besimi.
“Mbrëmë, një natë historie dhe besimi! Konventa promovuese e kandidatëve të VLEN tregoi fuqinë, unitetin dhe vendosmërinë tonë për ndryshim,” ka shkruar Sali.
Ai theksoi se VLEN nuk është thjesht një alternativë politike, por “zëri i fuqishëm i shqiptarëve, energjia e re që do të sjellë zhvillim, barazi dhe dinjitet në çdo komunë”.
Sipas tij, atmosfera entuziaste e konventës ishte dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në këtë projekt politik.
“Çdo duartrokitje, çdo sy i ndritur dhe çdo zemër që rrahu fort mbrëmë është garanci se fitorja është e jona,” shkroi Sali.
Deputeti theksoi gjithashtu se fitorja e VLEN është fitore e çdo qytetari, duke nënvizuar se bashkimi është çelësi i suksesit.
“Me VLEN, çdo qytetar fiton, sepse bashkimi ynë është garancia e së ardhmes më të mirë. Rruga jonë është e qartë: ndryshim i vërtetë, drejtim i ri, shpresë që VLEN!”, përfundoi ai.