Sali: Po vendosim gurthemelin e së ardhmes me kampusin e Universitetit “Nëna Terezë”

Në Ditën e Mësuesit u vendos gurthemeli i kampusit të ri të Universiteti “Nëna Terezë” në Shkup, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe lokale.

Në aktivitet morën pjesë zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, të cilët vendosën gurthemelin e kampusit të ri universitar në Shkup.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Sali theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e arsimit dhe të ardhmen e vendit.

“Ajo që dikur dukej si një ëndërr, sot po bëhet realitet. Ky kampus do të jetë një hapësirë moderne akademike për studentët dhe profesorët, një investim i madh në arsim, në rini dhe në të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi Sali.

Ai shtoi se kampusi i ri do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të dijes dhe zhvillimit profesional.

“Këtu shumë shpejt do të ngrihet një qendër e re dijes që do të krijojë mundësi të reja për mësim, kërkim shkencor dhe zhvillim profesional”, theksoi ai.

Sipas tij, investimi në universitete është investim në të ardhmen e shoqërisë.

“Duke ndërtuar universitete të fuqishme, ne ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, u shpreh Sali.

Ai gjithashtu nënvizoi se koalicioni qeveritar VLEN dhe qeveria aktuale e kanë arsimin ndër prioritetet kryesore.

“VLEN-i dhe kjo qeveri dëshmon me vepër se arsimin e ka ndër prioritetet më të larta të angazhimit dhe investimit të saj”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë.

Në fund, ai uroi që projekti i ri universitar të shërbejë për gjeneratat e ardhshme.

“Le ta gëzojnë të gjithë studentët dhe profesorët, si dhe të gjithë brezat që vijnë pas nesh”, përfundoi Sali.