Safe City në Kumanovë “thyen rekorde” gjatë festave! Qytetarët të ndarë: Disa i lavdërojnë, disa i kritikojnë

Mijëra kundërvajtje në trafik kanë regjistruar kamerat e “Safe City” në këtë fillimvit në disa prej lokacioneve të Kumanovës. Ndonëse më vonë nga kryeqyteti, edhe kumanovarët janë në fazën e testimit të blic-radareve, të cilat pritet të legalizohen në fillim të muajit shkurt. Në pikat më kritike të trafikut të qytetit, tashmë po funksionon regjistrimi i kundërvajtjeve për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq, mosdhënie përparësie këmbësorëve, përdorim të celularit gjatë vozitjes.

Qytetarët e Kumanovës, si shoferët ashtu edhe këmbësorët, i mirëpresin këto masa në trafik.

“Po, mirë është kjo, populli duhet të jetë më serioz, duhet të jenë më të vëmendshëm si ngasin makinat. Ju a jeni shofer? Jo! Jam këmbësor, por duhet të praktikojmë ku të kalojmë rrugën… Duhet të jenë më të kujdesshëm normalisht edhe shoferët, por njësoj edhe këmbësorët.”

“Mirë është, nuk duhet as përmirësime, kilometrazha është tamam dhe ashtu duhet të jetë edhe më tej. A mendoni se do t’i përmirësojë kushtet duke i ulur aksidentet në trafik? Po, sepse janë treguesit që rezultojnë në zvogëlimin e aksidenteve.”

Disa thonë se tashmë i kanë mësuar vendndodhjet e blic-radareve, por gjithsesi po tregojnë vigjilencë të shtuar në trafik, duke qenë se edhe radarët mobil me policë vazhdojnë të punojnë në rrugë. Ky qytetar tregon një përvojë personale, pasi ka pasur aksident në trafik për shkak të shpejtësisë së tjetrit.

“100% është më mirë! Sepse aksidentet në trafik janë bërë problem. Nëse bazohemi në rastin tim personal, prej katër vitesh jam në gjyq. Nuk mund t’ia dal nga ‘banda mafioze’ që i kanë njerëzit e tyre në institucione. Gjykata e Apelit ende nuk mund ta zgjidhë problemin e këtij aksidenti, ai ka vozitur me 130 km/h. Si është e mundur që eksperti gjyqësor nga Kumanova të vërtetojë se ai paska vozitur 49,9 km/h shpejtësi, ndërsa ekspertiza e Apelit të dalë me 130 km/h?”

“Mirë janë, duhet të dihet ku dhe sa mund të vozitet… Mirë, toleranca 3–4–5 km mbi shpejtësinë e lejuar nuk është ndonjë gjë e madhe nga vozitja normale.”

Nga Ministria e Brendshme thonë se në javën e parë të janarit numri i shkeljeve është dukshëm më i ulët se në javën e parë të dhjetorit, kur edhe nisi periudha e testimit të kamerave të “Safe City”. Autoritetet policore bëjnë thirrje që deri në fund të këtij muaji të azhurnohen të gjitha të dhënat personale në sektorët e punëve të brendshme, pasi me hyrjen në fuqi të sistemit të ri, të gjithë shoferët do të gjobiten, pavarësisht nëse e kanë në posedim automjetin që e vozisin.