“Safe City”, gjuha shqipe shpërfillet nga tabelat paralajmëruese të sistemit

Gjuha shqipe shpërfillet nga tabelat paralajmëruese të sistemit “Safe City”. Ministria e Brendshme thotë se tabelat janë vendosur në përputhje me Rregulloren për shenjat e komunikacionit. Ndërkaq, nesër në seancë të kuvendit pritet të votohen ndryshimet në ligjin për kundërvajtje në mënyrë që sistemi të nis funksionimin nga 1 shkurti.

“Tabelat paralajmëruese të sistemit ‘Safe City’ janë vetëm në gjuhën maqedonase. Përveç gjuhës shqipe, mungon edhe gjuha angleze, ndërsa të njëjtat siç mund të shihet mbrapa meje, janë vendosur vetëm pak metra nga kamerat”, raporton Ajnur Bafqari, gazetare.

Ndonëse bëhet fjalë për një sistem që prek drejtpërdrejtë të gjithë qytetarët dhe i njëjti zbatohet në një mjedis shumë-etnike dhe përdoret edhe nga vizitorë e shtetas të huaj, ky sistem u flet qytetarëve vetëm në maqedonisht, njësoj si sms porositë dhe e-mailet, që qytetarët i pranojnë vetëm në gjuhën maqedonase. Për më tepër pozicionimi i tabelave të reja, vetëm pak metra nga vet kamerat, ngre pikëpyetje për informimin në kohë dhe transparencën ndaj pjesëmarrësve në komunikacion. Nga MPB thonë se shenjat janë vendosur në pajtueshmëri me rregulloren për shenjat e komunikacionit.

“Ju informojmë se shenjat janë vendosur në pajtueshmëri me Rregulloren për shenjat e komunikacionit, pajisjet dhe sinjalizimin e rrugëve, të publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 174/2020, datë 30.06.2020. Në përputhje me nenin 24, pika 115, është e rregulluar se si duhet të duket shenja ‘komunikacioni është nën mbikëqyrjen e kamerave”, deklaroi Goce Andreevski, MPB.

Por në nenin në fjalë nuk precizohet çështja e gjuhës, dhe as se si supozohet që qytetarët ta kuptojnë tabelën.

“Shenja ‘trafiku është nën mbikëqyrjen e kamerave’ shënon vend ku kryhet mbikëqyrje e trafikut me kamera. Në shenjë mund të shtohet tabelë shtesë që përmban të dhëna për emrin e kontrolluesit që e kryen mbikëqyrjen dhe për mënyrën që mund të merren informacione”, thuhet në rregullore.

Ndryshe, Ligji për kundërvajtje në trafik, si një nga ligjet më të rëndësishme për implementimin e plotë të sistemit, është vendosur në rend dite për në seancën e nesërme plenare në Kuvend. Për miratimin e ligjit në fjalë, nevojiten dy të tretat e votave. Të gjitha partitë janë deklaruar se në parim e mbështesin ligjin, por thonë se duhet të diskutohen disa çështje siç janë moscenimi i të dhënave personale apo lartësia e sanksioneve. Faza testuese e sistemit “Safe City” ka filluar në dhjetor të vitit që lamë pas. Nga 1 dhjetori qytetarët pranojnë sms porosi me shkeljet, por vetëm si paralajmërim. Nëse ligji miratohet, nga 1 shkurti të gjitha sms porositë për shkeljet e konstatuara nga kamerat e “Safe City-t”, do të përmbajnë gjoba reale. /Alsat.mk