Pavarësisht rezistencës së fuqishme publike që mund të shihet në jetën e përditshme, në media dhe në rrjetet sociale, disa gjëra rreth zbatimit të “Qytetit të Sigurt”, projekti që duhet të zbatohet nga viti 2026, mund të kontekstualizohen:
• Instalimi i kamerave për monitorimin e komunikacionit me aftësi për përpunim të automatizuar të të dhënave mbi shkeljet në komunikacionin rrugor dhe për shqiptimin e sanksioneve ka kohë që është praktikë në Evropë dhe në botë. Rregullorja evropiane për këtë çështje bazohet në hulumtime serioze të realizuara që nga viti 2009, ndërkohë që vazhdimisht bëhen përmirësime të saj, përfshirë edhe këtë vit, pra në vitin 2025, e gjithë kjo me qëllim që të përmirësohet siguria në komunikacionin rrugor, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
- Gjatë 15 viteve të fundit shkeljet në komunikacionin rrugor që kanë pasur si rezultat aksidente me pasoja të rënda (vdekje dhe lëndime të rënda trupore) në vendin tonë nuk kanë rënë kurrë nën 100, pavarësisht ndryshimeve ligjore, ashpërsimit të politikës penale, e as pas ndryshimeve në Kodin Penal, ku dy ose tre vjet më parë u fut vepra penale “drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik”, e cila i jep policisë të drejtën të ndalojë dhe të ngrejë kallëzime penale për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
- Analiza e MPB-së që kryhet me krahasimin e të dhënave statistikore, tregon se shkaku më i shpeshtë i aksidenteve rrugore me pasoja të rënda është drejtimi i automjetit me shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar dhe çuditërisht për publikun e gjerë, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit është në vendin e pestë. Ditët e para provë të përdorimit të kamerave në Shkup e konfirmuan pikërisht këtë statistikë.
Duhet të ketë tolerancë në këtë sistem
Edhe pse ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski dhe Kryeministri Hristijan Mickoski thanë se nuk do të ketë tolerancë (jo vetëm për shpejtësinë) gjatë shqiptimit të sanksioneve përmes sistemit të automatizuar, është pothuajse e sigurt se do të ketë tolerancë për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, bazuar pikërisht në praktikën e legjislacionit modern evropian. Praktikën e tillë e theksuan edhe ekspertët, por edhe zyrtarët në МРВ, të cilët vazhdimisht e theksojnë fjalinë “t’i japim sistemit një shans gjatë periudhës së provës”.
Kjo tolerancë më shpesh i referohet shkeljeve që kryhen për shkelje të shpejtësisë nga e cila do të fillohen të shqiptohen gjobat, përkufizimi i saktë se kur mund të kalohet në të verdhë në semafor dhe për atë se çfarë do ta konsiderojë sistemi si vendosje të gabuar në korsi. Mendimi i tillë për atë se sa duhet të jetë përqindja e tolerancës për tejkalimin e shpejtësisë u kumtua dje (12.04) nga këshilltarja në kabinetin e ministrit të punëve të brendshme, Snezhana Petroviq-Arsovska:
“… Vendimi ende nuk është marrë, por do të merret në interes të të dyja palëve: për t’i përmbushur standardet dhe për ta respektuar praktikën më të mirë (praktika e mirë që është e pranishme në vendet moderne evropiane që tashmë kanë praktikuar sisteme të tilla për një periudhë më të gjatë kohore), dhe në të njëjtën kohë në kënaqësi edhe të qytetarëve”, – tha Petroviq – Arsovska në një intervistë për 360 Gradë në RTM.

Sanksionimi i automatizuar i zvogëlon pasojat fatale deri në 71 përqind
Edhe pse praktika e përdorimit të kamerave dhe sistemeve të automatizuara për regjistrimin e shkeljeve dhe shqiptimin e sanksioneve në vendin tonë është një risi, në vendet anëtare të BE-së, në përgjithësi në Evropë, ajo ka filluar të zbatohet diku pas vitit 2000. Kështu, sipas të dhënave të Komisionit Evropian, në Mbretërinë e Bashkuar (e cila nuk është më pjesë e BE-së), kamerat fikse për vërtetimin e shpejtësisë mbi të cilat pastaj konstatohen shkeljet janë instaluar që nga viti 2000, në Holandë që nga viti 2004, në Francë që nga viti 2003 me një sistem të automatizuar për shqiptimin e sanksioneve, gjithashtu edhe në Itali ku vetëm në autostradat ku ka 176 pjesë të mbuluara me kamera në vitin 2023 janë shqiptuar rreth 316 mijë gjoba për tejkalim të shpejtësisë, nga gjithsej 465 mijë të shqiptuara.
Sipas të dhënave të njëjta nga KE efekti mesatar i reduktimit të aksidenteve rrugore është nga 15 deri në 20 përqind, por “studimet individuale të vlerësimit dallojnë ndjeshëm në efektet e raportuara. Për kamerat fikse për shpejtësinë efektet varionin nga 5 deri në 69% reduktim të aksidenteve, 12 deri në 65% reduktim të lëndimeve dhe 17-71% reduktim të numrit të vdekjeve”.
Përkujtojmë se në Maqedoni numri i viktimave në “komunikacionin rrugor” tashmë 15 vjet nuk ka rënë nën 100.
“Safe City” i konfirmoi analizat e MPB-së – tejkalimi i shpejtësisë është një fenomen shumë i përhapur
Të dhënat nga dy-tre ditët e para të testimit të “Safe City” i konfirmuan statistikat dhe të dhënat analitike të MPB-së. Nga rreth 160 mijë shkelje, numri më i madh ka të bëjë me drejtimin e automjetit me shpejtësi që i tejkalon 50 km/orë të lejuara në Shkup.
Kamerat në rrugën unazore rreth Shkupit kanë regjistruar edhe shpejtësi prej mbi 230 kilometra në orë.
Gjatë zbatimit nga MPB kumtuan se matja e shpejtësisë dhe shqiptimi i sanksioneve mbi këtë bazë do të jetë një nga katër shkeljet që do të regjistrohen nga sistemi në periudhën fillestare. Pse është kaq e rëndësishme kjo? Thjesht sepse shpejtësia është shkaku kryesor i aksidenteve rrugore në vend.
Konkretisht, për 14 vjet – nga viti 2010 deri në vitin 2024, në të gjithë territorin e vendit tonë kanë ndodhur mesatarisht rreth 4.009 aksidente rrugore me viktima dhe të lënduar në vit, me ç’rast numri i përgjithshëm i aksidenteve me viktima është 1.802. Numri më i ulët prej 106 aksidentesh në komunikacionin rrugor me viktima është regjistruar në vitin 2021, ndërsa më i larti – 170 në vitin 2013. Në vitin 2024 numri i aksidenteve përsëri filloi të rritet dhe arriti në 124, pas një shkalle pesëvjeçare nga 106 në 118 aksidente me pasoja fatale.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në aksidentet rrugore nga viti 2010 deri në vitin 2024 është 2.161 persona:
Përpunimi analitik në statistikat e MPB-së ka nxjerrë në pah se shpejtësia jashtë kufijve të lejuar është shkaku numër 1 i aksidenteve rrugore. Nga numri më i ulët prej 590 në vitin 2019, në më të lartin 2.041 në vitin 2024:
Ulja e numrit të vdekjeve është primare, të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme janë legjitime
Ulja e numrit të vdekjeve në aksidentet rrugore, të cilat shikuar nga statistikat e MPB-së duken të frikshme, krahasuar me mesataret evropiane janë shumë të larta, për të mos i përmendur këtu edhe pasojat emocionale që aksidentet i lënë tek të rinjtë që humbasin jetën në kalimet për këmbësorë.

Për këto arsye prezantimi i kamerave që e monitorojnë komunikacionin në rrugë dhe që automatikisht i regjistrojnë shkeljet dhe shqiptojnë sanksione është pa dyshim një zgjidhje e justifikuar që i tejkalon të gjitha pyetjet e tjera, të cilat sigurisht që janë legjitime dhe nuk duhet të mbeten pa përgjigje:
- Efikasiteti dhe saktësia e sistemit;
- A do të përdoret si një mbështetje shtesë e konsiderueshme për llogarinë buxhetore përmes gjobave; pse u ble pa tender, për aq sa di publiku dhe sa kushton për momentin;
- Pse u zgjodh pikërisht prodhuesi italian “Tattile“, e jo një prodhues tjetër;
- A është softueri nga i njëjti prodhues apo është i kombinuar me dikë tjetër (po flitet se sistemi i kamerave nga projekti “Safe City” përdor softuer shumë të sofistikuar izraelit me dhjetëra mundësi për njohjen e automjeteve dhe njerëzve);
- A do të bie barra e vërtetimit në procedurë vetëm mbi qytetarin, nëse ka një proces gjyqësor për shkeljen e kryer për ankimimin e dënimit nga ana e personit të ndëshkuar;
- Pas kryerjes së shkeljes, nëse është dorëzuar ankesë, a ka MPB-ja mundësi ta fshijë sanksionin dhe kundërvajtjen varësisht nga ajo se për cilin person bëhet fjalë (ndikime partiake, familjare ose zyrtare); mbrojtja e privatësisë, etj.
Pyetjet sigurisht që janë legjitime dhe duhet të marrin përgjigje në mënyrë që të mos hedhin dyshime mbi mjetin që pritet ta ulë ndjeshëm numrin e viktimave në aksidentet rrugore. Kjo është arsyeja pse “Safe City” meriton t’i jepet një shans.
Ndryshe, kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit filluan regjistrimin automatik të shkeljeve në trafik duke filluar 1 dhjetori 2025. Ministria e Brendshme po lançon sistemin “Qytet i Sigurt, Shtet i Sigurt”. Periudha provuese do të zgjasë deri në Vitin e Ri, ndërsa gjobat e para duhet të mbërrijnë më 1 janar 2026.
Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë.




