Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të enjten se SHBA-ja po “udhëheq përpjekjet për paqe” në Ukrainë, duke shtuar se është i vetmi vend mjaftueshëm i fuqishëm për ta bërë këtë.
Duke folur para takimit të ministrave të Mbrojtjes në Bruksel, Rutte ka thënë se SHBA-ja po ushtron çdo formë presioni mbi Rusinë, duke lavdëruar lidershipin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në “thyerjen e bllokimit” me presidentin rus, Vladimir Putin.
Komentet e Ruttes erdhën një javë pasi SHBA-ja dhe Rusia ranë dakord të rivendosin dialogun ushtarak të nivelit të lartë për herë të parë në më shumë se katër vjet.
Ai ka thënë gjithashtu se aleanca mbetet e bashkuar dhe e përkushtuar, pavarësisht kërcënimeve të mëparshme nga Trumpi ndaj Grenlandës, një territor i Danimarkës, aleate e NATO-s.
Rutte ka thënë se një prani “e fortë, konvencionale” e SHBA-së do të mbetej në Evropë, Arktik dhe Atlantik.
“Ne jemi në këtë së bashku”, ka këmbëngulur Rutte.
Deklarata e Ruttes është bërë një ditë pasi NATO-ja nisi një përpjekje të re ushtarake të quajtur Arctic Sentry që synon përmirësimin e sigurisë në Veriun e Lartë.



