Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut tha se misioni i KFOR’it në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm” dhe “i aftë për qëllimin e tij”.
Këto deklarata Rutte i bëri pas disa raportimeve se SHBA-ja u ka lobuar në muajt e fundit për të zvogëluar operacionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, tha Rutte.
Ndryshe, për këto raportime Pentagoni kishte thënë se aktualisht nuk ka ndryshime në në stacionimin e forcës.
Në konferencën e përbashkët me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, në Shkup, Rutte gjithashtu tha se NATO është e përkushtuar “për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat ngado që të vijë sfida”.(INA)



