Rusia thotë se e ka kapur Sudzha-n, qyteza më e madhe në Kursk që kontrollohej nga Ukraina

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të enjten se forcat ruse e kanë marrë nën kontroll Sudzha-n, qyteza më e madhe në rajonin rus të Kurskut që ishte kapur nga trupat ukrainase gjatë ofensivës së tyre të befasishme matanë kufirit verën e kaluar.

Njoftimi vjen në kohën kur trupat ruse janë afër dëbimit të ushtarëve ukrainas nga territori i tyre i fundit në rajonin e Kurskut, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, të mërkurën e vizitoi komandën qendrore ushtarake të Kurskut dhe bisedoi me komandantë ushtarakë atje.

Deri të mërkurën vonë, ushtria ukrainase konfirmoi se po zhvilloheshin beteja në zonën e Sudzha-s.

Trupat ukrainase e kishin kapur këtë qytezë me rreth 6 mijë banorë në fillim të operacionit matanë kufirit, në gushtin e vitit të kaluar. Sudzha ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi foto të trupave ruse në vendbanimin rural, Malaya Loknya, i cili ndodhet në pjesën veriore të qytezës Sudzha.