Rusia dhe Bjellorusia kanë nisur stërvitje të mëdha ushtarake, teksa tensionet në rajon janë rritur pasi dronët rusë hynë në territorin polak, duke nxitur Varshavën dhe aleatët e NATO-s të forcojnë mbrojtjet e tyre.
Stërvitjet “Zapad-2025” nisën më 12 shtator dhe të mbahen në Bjellorusi dhe Rusi. Këto ushtrime do të zgjasin deri më 16 shtator.
Zyrtarët rusë kanë thënë se gjatë stërvitjeve ushtarake do të simulohet zmbrapsja e një sulmi të armikut, por analistët kanë thënë se synimi kryesor i stërvitjeve është të tregohet se ushtria ruse është ende e fuqishme edhe pas më shumë se tre vjetësh luftë rraskapitëse në Ukrainë që vlerësohet se i ka kushtuar Moskës më shumë se 1 milion viktima.
“Mendoj se qëllimi është që [presidenti rus, Vladimir] Putin të tentojë të tregojë se është ende i fuqishëm, që lufta në Ukrainë në të vërtetë nuk i ka prekur ata”, tha për Radion Evropa e Lirë, Lance Landrum, gjenerallejtënant në pension i Forcave ajrore amerikane, i cili tani është hulumtues i lartë në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane.
Stërvitjet e sivjetme ushtarake po ashtu pritet të praktikojnë vendimmarrjen rreth përdorimit të armëve bërthamore ruse dhe raketave bërthamore me rreze të mesme veprimi që Moska ka premtuar se do ta furnizojë Minskun me to. Rusia nuk ka bërë të ditur se sa armë taktike bërthamore ka dislokuar në Bjellorusi, por udhëheqësi bjellorus Aleksandr Lukashenko, deklaroi në dhjetor se shteti i tij ka dhjetëra armë të tilla.
“Mendoj se kjo është shfaqje për shtetet dhe mediat botërore si pjesë e fushatës së tyre të ndikimit”, tha Landrum.
Stërvitjet veçse kanë nxitur shqetësime tek Ukraina dhe shtetet e tjera që kufizohen me Bjellorusinë – sikurse Letonia, Lituania dhe Polonia – të cilat do të shikojnë me vëmendje pasi stërvitjet e fundit ushtarake Zapad më 2021 u përdorën pjesërisht si mbulesë për të zhvendosur trupat ruse në Bjellorusi, nga ku më pas u futën në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Një zëdhënës i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se aleanca motorin nga afër aktivitetet ushtarake ruse dhe se “u bëjmë thirrje Rusisë dhe Bjellorusisë të veprojnë në mënyrë të parashikueshme dhe transparente, në linjë me zotimet e tyre ndërkombëtare” gjatë stërvitjeve Zapad. Zëdhënësi shtoi se NATO-ja “nuk sheh ndonjë rrezik të afërt ushtarak” ndaj ndonjë anëtari.
“Kremlini vazhdimisht ka demonstruar mungesë të transparencës, përfshirë sa i përket madhësisë dhe gjerësisë të këtyre stërvitjeve”, tha ky zëdhënës. “Ka një histori të përdorimit të stërvitjeve ushtarake për të shtyrë përpara politika kërcënuese”.
Sa trupa do të marrin pjesë në stërvitjet Zapad-2025?
Teksa lufta e Kremlinit në Ukrainë po vazhdon, stërvitjet e sivjetme Zapad mund të jenë më të kufizuarat.
Zyrtarët bjellorusë të mbrojtjes thanë më herët gjatë këtij viti se afër 13.000 trupa do të merrnin pjesë në stërvitjet afër kufirit perëndimor të shtetit. Por, në maj ky numër u ndryshua, duke u përgjysmuar dhe numri i përgjithshëm i personelit ushtarak që do të marrë pjesë është diku 7.000-8.000.
Në atë njoftim po ashtu u tha se manovrat kryesore do të kryheshin thellë brenda Bjellorusisë. Ministri bjellorus i Mbrojtjes, Viktor Kharenin, tha se shumica e stërvitjeve do të kryhen përreth qytetit Barjsau, që gjendet rreth 74 kilometra në verilindje të Minskut, edhe pse disa “njësi të vogla do të kryejnë detyra praktike për zmbrapsjen e një armiku hipotetik” në zonat pranë kufirit me Poloninë dhe Lituaninë.
Moska po ashtu pritet të dërgojë vetëm 2.000 trupa në Bjellorusi, ndërkaq në total stërvitjet do të përfshijë qarqet ushtarake të Moskës dhe Leningradit të Rusisë, të eksklavës së Kaliningradit, të rajonit të Arktikut dhe të detit Baltik dhe Barents.
Rusia, megjithatë, po mban edhe tri stërvitje të tjera me shtetet nga Organizata e Traktit për Siguri Kolektive (CSTO) – një bllok ushtarak që përfshin Armeninë, Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgizinë, Rusinë dhe Taxhikistanin, që mund të fshehë madhësinë reale të Zapadit.
Megjithatë, Zapad pritet të jetë shumë më i vogël në shkallë sesa 200.000 trupa që morën pjesë në stërvitjet e fundit ushtarake të mbajtura më 2021.
Pse janë të rëndësishme stërvitjet e këtij viti?
Përderisa stërvitjet e sivjetme pritet të jenë më të vogla në numër sesa vitet paraprake, ato shënojnë një kthim në nivel strategjik të ushtrimeve për Rusinë dhe Bjellorusinë që nga nisja e pushtimit të Ukrainën.
“Stërvitjet e sivjetme me gjasë do të tregojnë se si Moska pret që të zhvillohet një luftë kundër NATO-s”, tha Këshilli gjerman për Marrëdhënie me Jashtë në një raport të publikuar para stërvitjeve. “Përderisa nuk ka një rrezik akut të përshkallëzimit, stërvitjet do t’i japin NATO-s mësime të rëndësishme për konceptin e Rusisë lidhur me një luftë në të ardhmen”.
Zapad, që do të thotë Perëndim, është në serinë e stërvitjeve ushtarake që nisën në vitet ’70 nën Bashkimin Sovjetik dhe vazhduan deri në kolapsimin e tij më 1991. Stërvitjet rinisën më 1999 dhe më pas u zgjeruan nën udhëheqjen e Putinit si pjesë e stërvitjeve që mbahen çdo katër vjet në Rusi dhe në shtetet fqinje.
Në të kaluarën, Kremlini nuk ka shmangur provokimet gjatë stërvitjeve ushtarake.
Përveç stërvitjeve të vitit 2021, të cilat fshehën dislokimet ushtarake përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia, zyrtarë perëndimorë kanë deklaruar se besojnë se stërvitjet Zapad në vitet 2009 dhe 2013 përfshin edhe sulme të simuluara bërthamore kundër Varshavës dhe Stokholmit.
Vëmendja te Bjellorusia dhe armët bërthamore
Në dhjetor, udhëheqësi autoritar bjellorus, Aleksandr Lukashenko, dhe Putin nënshkruan një traktat që i jep garanci të sigurisë Bjellorusisë, përfshirë mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore ruse për të ndihmuar një zmbrapsjen e ndonjë agresioni.
Traktati pasoi ndryshimin e doktrinës bërthamore të Moskës, e cila për herë të parë e vendosi Bjellorusinë nën ombrellën bërthamore të Rusisë mes tensioneve me Perëndimin.
Khrenin, ministri bjellorus i Mbrojtjes, tha se trupat do të ushtrojnë “planifikimin e përdorimit të” armëve bërthamore ruse gjatë stërvitjeve Zapad, por stërvitjet nuk do të përfshijnë dislokimin fizik të armëve bërthamore.
Përderisa vëzhguesit ushtarakë perëndimorë do të shikojnë nga afër këtë zhvillim, stërvitjet po ashtu mbahen kur Lukashenko së fundi ka shfaqur gatishmëri për të përmirësuar raportet me Perëndimin, raporte që ishin të tensionuara për vite me radhë për shkak të shtypjes brutale të disidencës dhe mbështetjes së tij për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Lukashenko “po shtyn narrativin e uljes së tensioneve, duke premtuar se do të ndikojë në veprimet e Putinit dhe të bëjë koncesione, sikurse është lirimi i të burgosurve politikë”, tha Ryhor Astapenia, drejtor i Nismës Bjelloruse në Chatham House, në një analizë për stërvitjet.
Këtë vit vazhdimisht ka pasur lirim të të burgosurve, përfshirë 52 nga shtete të ndryshme që u liruan në prag të stërvitjeve, dhe po ashtu ka pasur një përpjekje publike për afrim me Perëndimin. Në gusht, Lukashenko zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili më pas në një postim në rrjetet sociale e quajti “president shumë të respektuar”.
“Nëse këto stërvitje zhvillohen në një mënyrë monotone dhe transparente, ato me shumë gjasë do të hapin rrugën për dialog të mëtejmë”, tha Astapenia./REL