Rusia “po përpiqet ta ndihmojë Trumpin” për rizgjedhje

Sipas gazetës New York Times, raportimet e tilla e kanë zemëruar Trumpin, i cili ka thënë se rivalët e tij demokratë do t’i shfrytëzojnë këto informacione kundër tij. Po sipas gazetës, Trump është zemëruar sidomos me faktin që Adam Schiff, demokrati që ka udhëhequr procedurat për shkarkimin e tij, ka qenë në konferencë. Këtë javë, Trump e ka zëvendësuar ushtruesin e detyrës së shefit të inteligjencës, Joseph Maguire.

Maguire ka qenë favorit për t’u emëruar drejtor i përhershëm i Inteligjencës Kombëtare, raporton Washington Post. Megjithatë, sipas gazetës, presidenti ka ndryshuar mendje kur ka marrë vesh për konferencën, ndërsa për Maguire ka thënë se është “shpërfillës”. Trump ka njoftuar se Maguire do të zëvendësohet nga Richard Grenell, ambasadori amerikan në Gjermani, njëherësh besnik i presidentit. Dy zyrtarë të administratës Trump i kanë thënë gazetës New York Times se zëvendësimi i Maguire, pas konferencës së diskutueshme, ka qenë rastësi.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë thënë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA edhe më 2016, për të forcuar fushatën e Trumpit dhe për të shkaktuar kaos brenda procesit zgjedhor të SHBA-së. Demokratët e kanë kritikuar presidentin për emërimin e Grenellit, i cili e ka minuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e fundit dhe ka festuar ngritjen e politikanëve të ekstremit të djathtë në Evropë.

Trump ka mohuar se ekipi i tij ka punuar me figura ruse gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, ndërsa hetimet për këtë çështje vazhdimisht i ka cilësuar si “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash”.

Rusia po ashtu e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA. New York Times raporton se gjatë konferencës së fundit, aleatët e Trumpit i kanë sfiduar paralajmërimet e zyrtarëve të inteligjencës dhe kanë thënë se presidenti ka qenë i ashpër ndaj Rusisë.

Në një seancë dëgjimore publike këtë muaj, drejtori i FBI-së, Christopher Wray, i ka thënë Komisionit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve se Moska është angazhuar në një “luftë informacioni”, përpara zgjedhjeve të nëntorit, në përpjekje për të përçarë publikun dhe për të shkaktuar mosmarrëveshje.