Rusia paralajmëron Vuçiqin: E papranueshme që ushtarët rusë të vriten nga armët serbe

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se shpeshherë, teksa dëgjon intervistat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, nuk është e sigurt nëse po flet një person apo disa, pasi disa deklarata shihen në Moskë ndryshe nga ato që jepen në intervista nga “pikëpamje të tjera gjeografike”.

Zakharova iu referua deklaratave të fundit të Vuçiqit, i cili në një intervistë për revistën gjermane Cicero u shpreh se Serbia ishte e gatshme t’u shiste municion partnerëve evropianë, edhe nëse armët do të përfundonin në Ukrainë.

“Kemi marrë herë pas here premtime nga udhëheqësit serbë se eksporti i armëve dhe municionit kontrollohej rreptësisht dhe se nuk do të përdorej kundër ushtarëve rusë në Ukrainë”, ka thënë ajo në një konferencë për media të premten.

Zëdhënësja u shpreh e qartë se nuk mund të pranojë që ushtarët rusë, të cilët historikisht kanë ndihmuar popullin serb, të dëmtohen apo të vriten nga armët serbe, dhe se kjo nuk duhet të ndodhë as nga rastësia e as nga ndonjë rrethanë e pabesueshme.

Zakharova theksoi gjithashtu rëndësinë që Beogradi të respektojë premtimet e dhëna nga Vuçiqi, duke shtuar se ato premtime nuk ishin thjesht deklarata për një vend të caktuar apo individ, por përfaqësim i vullnetit të një shteti sovran dhe të popullit të tij. U shpreh se këto situata nuk duhet të rrezikojnë marrëdhëniet historike dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në përfundim, Zakharova la të kuptohet se mund të ketë pasur keqkuptime nga mediat, dhe se shërbimi për shtyp i presidencës serbe duhet të japë sqarime për të qartësuar nëse gjithçka është cituar saktë.

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë (SVR) kishte deklaruar në qershor se kompanitë serbe kanë rritur furnizimet indirekte të armëve për Ukrainën përmes vendeve të BE-së, si Çekia dhe Bullgaria.

Në të njëjtën kohë, Beogradi njoftoi se kishte pezulluar eksportin e municionit, armatimit dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në Serbi, pas kritikave nga Moska dhe gjatë konfliktit izraelito-iranian.

Beogradi ka mohuar vazhdimisht se Serbia eksporton drejtpërdrejt armatim në Ukrainë ose Rusi, dhe ka deklaruar se nuk mund të ndikojë nëse armët serbe, pasi shiten në vende të treta, përfundojnë në frontin ukrainas.