Rusia me të shtëna paralajmëruese ndaj një anijeje që po shkonte drejt Ukrainës

Moska tha më 13 gusht se ka shtënë në shenjë paralajmërimi ndaj një anijeje me mallra, që ishte nisur drejt portit ukrainas të Izmailit.

Të shtënat u bënë nga një luftanije e Rusisë.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se anija patrulluese Vasily Bykov, detektoi anijen me mallra duke lundruar nën flamurin e Palauit “në rrugë drejt portit ukrainas të Izmailit”.

Kapiteni i anijes së mallrave, Sukru Okan, nuk iu përgjigj kërkesës për t’u ndalur “për inspektim të transportimit të mallrave të ndaluara”.

“Për të detyruar anijen që të ndalej, ka pasur të shtëna paralajmëruese nga luftanija ruse”, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi.

Një helikopter që bartte personel ushtarak rus më pas ka shkuar për të inspektuar anijen, u tha në njoftim.

Pasi është kryer inspektimi, anija Sukru Okan, është lejuar që të vazhdojë lundrimin.

Izmail tani është porti kryesor prej ku Ukraina eksporton produktet e saj bujqësore.

Pas tërheqjes nga marrëveshja për eksportet e drithërave në korrik, Moska ka sulmuar qytetet-port në rajonin jugor ukrainas të Odesës, prej ku, sipas marrëveshjes paraprake, janë kryer eksportet kryesore të drithërave./REL