Një tjetër sulm masiv rus me raketa balistike dhe dronë ka tronditur Ukrainën gjatë natës së fundit, duke goditur edhe kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev. Lajmi është bërë publik nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili reagoi ashpër përmes një postimi në rrjetin X.
Sipas Hoxhës, sulmi ka vënë në rrezik serioz jetën e ambasadorit shqiptar, duke e cilësuar ngjarjen si “plotësisht të papranueshme”. Shqipëria dënoi sulmet ndaj objektivave civile në Ukrainë dhe akuzoi Rusinë për shpërfillje totale të jetës njerëzore dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të kostos njerëzore të agresionit rus”, deklaroi ministri.
Në reagimin e tij, Hoxha theksoi se lufta e nisur nga Rusia ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në Ukrainë, duke goditur vazhdimisht infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe banesat civile, por pa arritur të thyejë qëndresën e popullit ukrainas.
Ai përsëriti thirrjen që Rusia të ndalë menjëherë sulmet, t’i japë fund luftës dhe të rikthehet në tryezën e negociatave, duke respektuar ligjin ndërkombëtar.
Shqipëria, sipas ministrit, do të vazhdojë të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa personat përgjegjës për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme shqiptare ka thirrur për shpjegime ambasadorin e Federatës Ruse në Shqipëri pas këtij incidenti.



