Rusia e do Beogradin nikoqir të bisedimeve me Ukrainën (VIDEO)

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, ka shprehur siç e ka quajtur ai “dëshirë të madhe” që Beogradi të jetë vend takim i palës ruse dhe asaj ukrainase.

Lavrov e theksoi këtë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët e katër mediave beogradase.

Idenë që kryeqyteti i Serbisë të jetë vendi ku do të bisedonin Moska dhe Kievi për t’i dhënë fund luftës së nisur më 24 shkurt, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka quajtur “lajmi më i mirë në botë”.

“Vuçiq thotë kështu, sepse është në fushatë zgjedhore. Mendoj se kjo ide është dakorduar. Unë do të isha më i shqetësuar e më i vëmendshëm sesa Vuçiq në raport me atë që thotë Lavrov. Beogradi si vend takim është përfolur edhe kur ishte kriza në Gruzi, pastaj konfliktet rreth Azerbajxhanit, por në realitet kurrë nuk ndodhi”, thotë Dushan Janjiq, udhëheqës i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike me seli në Beograd.

Kryediplomati rus inkurajoi Serbinë të vazhdojë me politikën që ai e quan “ të shkëlqyer”, e që është mosvënia e sanksioneve Moskës.

“Kohëve të fundit , presidenti i Serbisë shumë e më shumë po e do e po e përmend të dërguarin për Ballkanin, Stuart Peach. Kjo ka lidhje me bisedimet që po bëhen që “British Petroleum” dhe të tjerët të vijnë te ne. Vuçiq ka shumë në thonjëza shok të vjetër dhe ka kaq shumë borxhe sa që ka hyrë në fazën e “borxhlinjve të mëdhenj”. Borxhliu i madh nuk mbytet e as nuk izolohet por shfrytëzohet derisa i kryen detyrat”, shtoi Janjiq.

Serbia aleat tradicional i Rusisë nuk ka pranuar që t’i vë asnjë sanksion ekonomik apo politik Federatës Ruse përkundër kërkesave të vazhdueshme që po vijnë nga Brukseli dhe Washingtoni.