Rusia e arreston një shtetas amerikan për gjoja posedim të drogës

Një gjykatë ruse njoftoi të martën se e ka paraburgosur një shtetas amerikan për gjoja posedim të drogës, një akuzë e dënueshme me deri në 20 vjet burgim.

Gjykata e Qarkut të Moskës, Ostankino, tha se Robert Romanov Woodland u dërgua në paraburgim më 6 janar dhe se do të mbahet atje deri më 5 mars, nën akuzat për “përvetësim apo posedim të jashtëligjshëm të drogës”.

Portali rus Mash raportoi se Woodland, 32 vjeç, akuzohet me tentim për prodhim të madh dhe shitje të drogave të jashtëligjshme.

Ai u arrestua më 5 janar, sipas portalit rus.

Sipas një llogarie në Facebook me emrin e Robert Woodlandit, ai ka qenë mësimdhënës i gjuhës angleze në Rusi dhe jetonte në afërsi të Moskës.

Duket se ai zotëronte pasaportë ruse dhe amerikane. Reuters raportoi se nuk ka qenë e mundur të kontaktohet ai menjëherë në burgun rus.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se disa shtetas të saj po burgosen padrejtësisht në Rusi, përfshirë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, e cila është në paraburgim në Rusi, nën akuzat se e ka shkelur rregulloren e ligjit për të ashtuquajturit “agjentë të huaj”.

Departamenti i Shtetit u ka bërë thirrje vazhdimisht të gjithë amerikanëve të largohet menjëherë nga Rusia, duke përmendur arrestimet e padrejta dhe ngacmimet nga shërbimet ruse të sigurisë.