Rusia herët a vonë do të legalizojë kriptovalutat si një mjet pagese, tha të mërkurën Ministri i Industrisë dhe Tregtisë Denis Manturov, shkruan Euronews.
“Pyetja është se kur të ndodhë kjo, si do të rregullohet, tani banka qendrore dhe qeveria po punojnë në mënyrë aktive për të”, u përgjigj ai.
Manturov tha se rregulloret për përdorimin e kriptomonedhave në radhë të parë do të formulohen nga banka qendrore dhe më pas nga qeveria.
Pak përpara se Rusia të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, Ministria e Financave paraqiti propozime legjislative që bien ndesh me kërkesën e Bankës Qendrore.
Nga ana tjetër, guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina ka thënë se banka nuk mund të mirëpresë investimet në kriptomonedha, të cilat përbëjnë rreth 5 miliardë dollarë (4.76 miliardë euro) transaksione në vit nga rusët, dhe ka propozuar ndalimin e tregtimit dhe nxjerrjes së tyre.
Duke përmendur rreziqet për stabilitetin financiar nga rritja e numrit të transaksioneve kripto, zyrtarë të tjerë të bankës qendrore thanë vitin e kaluar se nuk shihnin hapësirë që kriptomonedha të përdoret në tregun financiar rus.




