Rusia “do kapë” Malin e Zi, Escobar jep alarmin: Do ndërhyjnë në zgjedhje!

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pohoi se ekziston një rrezik i madh që rusët të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi.

Në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve, MINA, Escobar e pranoi se një rrezik i tillë ka ekzistuar edhe në zgjedhjet e SHBA-së, dhe metodat e Moskës nuk ndryshojnë.

“Të jeni të sigurte se ata do të përpiqen të përdorin të gjitha rrugët, dhe të gjitha metodat që njohin duke nisur nga dezinformimi, në përpjekjet për ta devijuar Malin e Zi nga rruga e tij europiane. Prandaj, e them se po, më shqetësojnë zgjedhjet jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në rajon”, u shpreh Escobar.

Sa për qytetarët malazezë, zyrtari i lartë amerikane përshëndeti atë që e quajti “zgjedhjen e duhur” nga ana e tyre. “Sa herë që qytetarët vendoseshin përpara një zgjedhjeje, ata zgjodhën të vetmen rrugë reale përpara Malit të Zi – integrimin euroatlantik”, theksoi Escobar.

Sipas tij, tha se “kushdo që e mban Malin e Zi në kursin e tij europian, kushdo që mbetet i përkushtuar ndaj detyrimeve të Malit të Zi nga anëtarësimi në NATO dhe që është aleat në luftën kundër korrupsionit, mund të presë mbështetjen e SHBA-së”.

Këtu, Escobar i njohu meritat ish-presidentit, Milo Gjukanovic, duke thënë se ai e drejtoi vendin në rrugën e drejtë përmes anëtarësimit në NATO dhe përmes afrimit me Bashkimin Europian. Zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi do të mbahen në 11 qershor.