Rusi, rritet në mbi 10 mijë numri i rasteve me COVID-19

Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirusin e ri (COVID-19) në 24 orët e fundit në Rusi vazhdon të rritet nga dita në ditë, duke arritur shifër rekord prej 1.459, ndërsa numri i rasteve të regjistruara në vend ka tejkaluar shifrën 10.000.

Numri i vdekjeve në Rusi është 76, me 13 raste të vdekjeve të regjistruara në 24 orët e fundit, që gjithashtu është numri më i lartë i vdekjeve të raportuara në vend.

Në kumtesën e autoriteteve shëndetësore ruse thuhet se gjithsej 10.131 raste janë konfirmuar në 81 rajone të Rusisë, me 698 pacientë që janë shëruar deri më tani, prej tyre 118 në 24 orët e fundit.

Kryeqyteti Moska mbetet zona më e goditur në vend, duke regjistruar 857 nga rastet e reja dhe 6.698 nga rastet e përgjithshme në vend.

Në ndërkohë, një organ tjetër qeveritar tha se po bëhen përpjekje për të rritur kapacitetin e përditshëm të testimit.

Më shumë se një milion njerëz janë testuar në Rusi deri më tani dhe rreth 171.000 janë nën mbikëqyrje si raste të dyshuara të koronavirusit, njofton Shërbimi Federal për Mbikëqyrjen e Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit dhe Mirëqenies së Njeriut.

Pas shfaqjes dhjetorin e kaluar në qytetin Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë globin, duke shkaktuar mbi 88 mijë të vdekur ndërsa mbi 330 mijë janë shëruar deri më tani. Numri i rasteve të konfirmuara globalisht ka tejkaluar 1.5 milionë njerëz.