Rusi, regjistrohen mbi 10 mijë raste të reja me Covid-19

Numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 në Rusi shkon në gjithsej 242.271, pasi brenda 24 orëve u raportuan 10.028 raste të reja.

Numri i viktimave u rrit në 2.212 pasi 96 persona vdiqën gjatë 24 orëve të fundit, thuhet në raportin ditor të autoriteteve shëndetësore ruse.

Sipas raportit, janë regjistruar gjithsej 48.003 të shëruar, përfshirë 4.491 të shëruar në 24 orët e fundit, ndërsa rreth 259 mijë persona mbeten nën mbikëqyrjen mjekësore si të dyshuar se mund të jenë infektuar.

Përkundër masave të rrepta, të cilat përfshijnë bllokim të kryeqytetit Moskë, ndalimin e hyrjes së të huajve dhe pezullimin e trafikut ndërkombëtar ajror dhe hekurudhor, Rusia ka regjistruar numrin e dytë më të lartë të rasteve në botë.

Vendi regjistroi më shumë se 10 mijë raste në ditë për të dytën javë me radhë. Megjithatë, në përqindje, rritja e numrit të rasteve po ngadalësohet.

Gjithashtu, Rusia konfirmoi numrin më të ulët të vdekjeve për 100 mijë njerëz në krahasim me fqinjët e saj.

Për shkak të COVID-19, brenda dy javësh u shtruan në spital pesë zyrtarë të lartë rusë, duke përfshirë kryeministrin Mikhail Mishustin dhe zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov.

Rusia së fundmi ka shtuar testimet në një përpjekje për të diagnostikuar pacientët në një fazë të hershme dhe deri më tani ka kryer më shumë se 5.9 milion teste.