Rumania është bërë shteti i fundit anëtar i NATO-s që ka raportuar një ndërhyrje me dron në hapësirën e saj ajrore. Në të njëjtën kohë, Polonia ka ngritur avionë në ajër, në përgjigje të sulmeve të reja me dron rusë pak mbi kufirin në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë ka thënë të shtunën se hapësira e saj ajrore ishte shkelur nga një dron gjatë një sulmi rus ndaj infrastrukturës në Ukrainën fqinje. Rumania në përgjigje ka ngritur në ajër dy avionë luftarakë F-16 vonë të shtunën, për të monitoruar situatën pas sulmeve, ka thënë ministria në një deklaratë.
Aeroplanët “zbuluan një dron në hapësirën ajrore kombëtare dhe e gjurmuan atë derisa u zhduk nga radari pranë fshatit rumun Chilia Veche”, ka shtuar ministria.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia po zgjeronte qëllimisht operacionet e saj me dron dhe se perëndimi duhej të përgjigjej me sanksione më të ashpra dhe bashkëpunim më të ngushtë në mbrojtje.
Inkursionet e fundit me dron janë “një zgjerim i dukshëm i luftës nga Rusia”, ka thënë ai.
“Ushtria ruse e di saktësisht se ku po shkojnë dronët e tyre dhe sa gjatë mund të veprojnë në ajër”.
Ajo që kërkohet në përgjigje janë sanksionet e reja kundër Rusisë dhe një sistem mbrojtës kolektiv, ka argumentuar Zelensky.
“Mos prisni për dhjetëra ‘shahedë’ dhe raketa balistike para se të merrni vendime”, ka paralajmëruar duke iu referuar dronëve “Shahed” të projektuar nga Irani që po përdor Rusia.
Në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se ishte gati të vendoste sanksione të mëdha ndaj Rusisë – sapo të gjitha vendet e NATO-s të bënin të njëjtën gjë dhe të ndalonin blerjen e naftës ruse.