Shkruan: Blerim Shala
Çka nuk duhet të ndodhë. Assesi.
Ky është me gjasë definicioni më i qartë i atij koncepti të ‘Vijave të kuqe’, së paku kur bëhet fjalë për Rendin ndërkombëtar.
Në të kundërtën, nëse ndodhë (njëmend), kalimi i ‘Vijave të kuqe’, atëherë hyhet në një fazë të re, shumë të rrezikshme kur përmasat e problemeve mund t’i tejkalojnë dhe t’i lënë prapa potencialet ekzistuese të zgjidhjes së tyre.
S’do mend që ajo çfarë ndodhi në shkurtin e vitit 2022, kur Rusia invadoi ushtarakisht Ukrainën, ishte shkelje brutale e Rendit ndërkombëtar dhe e ‘Vijave të kuqe’ në mes të Perëndimit dhe Rusisë.
Kjo u konstatua në të katër anët e Botës.
Megjithatë, pak ditë a javë pasi nisi lufta në Ukrainë, saora u bënë a u vendosën ‘Vijat e kuqe’ të reja. Dhe atë nga dy palët kryesore, Amerika (dhe Pakti NATO) dhe Rusia. Madje, u krijua edhe lidhja speciale telefonike në mes të Washingtonit dhe Moskës për t’i shmangur, nëse duhet edhe urgjentisht, rastet e rrezikshme.
Pra, Presidenti i atëhershëm amerikan Joseph Biden bëri me dije publikisht, por edhe përmes komunikimit diplomatik, që derisa Amerika do ta ndihmojë ushtarakisht dhe me të gjitha mjetet e tjera Ukrainë, ajo nuk do të përfshihet vet në këtë luftë. Dhe as Pakti NATO.
Kjo mund të ndodhë (hyrja e Amerikës në luftë), vetëm në rast që Rusia do të sulmojë ushtarakisht një shtet anëtar të Aleancës.
Në anën tjetër, në këto lidhjet konfidenciale që u krijuan në mes të Washingtonit dhe Moskës, Rusia e Vladimir Putinit ia bëri me dije SHBA-së që lufta e saj (gjegjësisht, ‘operacioni special ushtarak’), është e kufizuar vetëm në Ukrainë.
Edhe pse ka pasur raste kur nga ana e Moskës është përmendur rreziku i shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore pikërisht në Ukrainë, dihej në te dy anët që nuk është rendi i një përkeqësimi të tillë dramatik.
U vendos pra një farë rendi i çuditshëm pas atij kaosi që çoi krye në shkurtin e vitit 2022.
Por ja që pikërisht në ditët dhe javët kur me të madhe po flitet (dhe po negociohet), për aranzhmanet eventuale politike (dhe ushtarake e të sigurisë) të cilat do ta sjellnin paqen në Ukrainë, pas luftës gati katërvjeçare, ndodhi ajo që nuk do të duhej të ndodhte, së paku sipas këtij pajtimi amerikano – rus: Sulmi me dronë ushtarak mbi Poloninë, e cila është shteti kryesor (dhe më i madhi), në këtë kufirin lindor të Paktit NATO.
Nuk ka dyshim kush e bëri këtë sulm dhe prej nga erdhën dronët që ndezën alarmin e Paktit NATO.
U aktivizua Neni 4 i Traktatit të Aleancës Veri-Atlantike, i cili thërret për konsultime shtetet anëtare të tij. Ky Nen pra është vetëm një numër (a një hap), larg Nenit 5 të këtij Traktati, i cili është i njohur në mbarë Botën. Ai obligon Paktin NATO që sulmi mbi një shtet anëtar të tij, është sulm mbi gjithë NATO-n.
Ditën e djeshme pati një mori reagimesh politike dhe diplomatike në kryeqendrat perëndimore, të cilat u bashkuan në një konkludim të vetëm: NATO nuk do të lejojë që një shtet i saj të goditet nga Rusia.
Ky është qëndrim kategorik, i cili nuk vihet në pyetje.
Megjithatë, nuk duket që Putin, të cilit Perëndimi me të drejtë nuk i zë besë fare për asgjë, do të rrezikojë një konfrontim të kësisojt ushtarak me Amerikën dhe NATO-n.
Ky nuk duket se është ‘emri i lojës’ në këtë rast.
Sipas të gjitha gjasave, ajo çka ndodhë rishtazi në Poloni, është vazhdim i negociatave diplomatike të Rusisë me Perëndimin, me mjete ushtarake.
Ditëve të fundit, vet Putin e bëri me dije që për te është krejtësisht e papranueshme që pas arritjes eventuale të paqes në Ukrainë, në garantimin e saj në territorin e Ukrainës të vendosen ushtarë të shteteve vullnetmira të Perëndimit.
Diçka e tillë nuk nevojitet (tek e fundit), tha Putin, sepse vet Rusia do t’i përmbahet Marrëveshjes së paqes.
Në këtë kontekst pra, Putin mëton, edhe përmes këtij incidenti me dronë në territorin e Polonisë, të kërcënojë Evropën që ushtarët e saj nuk do të jenë aspak të sigurte nëse vijnë në Ukrainë, dhe që në atë rast do të rrezikohet përplasja e madhe me Rusinë.