Rukiqi komenton kërkesën e Kurtit për ndihmë nga diaspora: S’jemi në kohë lufte

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se pas përhapjes së koronavirusit dëmet në ekonominë botërore dhe atë kosovare janë të mëdha.

Rukiqi duke komentuar kërkesën e kreut të ekzekutivit, Albin Kurti për ndihmë financiare nga diaspora ka thënë se vendi nuk është në luftë, prandaj edhe kjo kërkesë sipas tij, është e panevojshme.

Ai më tej shtoi se edhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët do t’i kenë kapacitetet me të limituara.

“Mjetet financiare ka me pasur nevojë që të vijnë nga gjitha anët. Një element duhet të kuptohet se nuk jemi në situatën, për shembull mas lufte të gjithë e kanë pasur orientimin në Kosovë. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët do t’i kenë kapacitetet me të limituara për shkak se kriza i ka prekur gjitha vendet. Normalisht çdo ndihmë është e mirëseardhur”, ka shtuar ai.

Sa i përket masave të marra pas shpalljes së Prishtinës së zonë karantinë, ai ka thënë se ende nuk është e qartë se cilat janë ato.

Rukiqi ka sqaruar se kanë kërkuar që të krijohen korridore në mënyrë që tu mundësohet lëvizja e bizneseve dhe punëtorëve në mënyrë që mos të ndërpritet të gjitha aktivitet ekonomike.

“Ne nuk po e dimë se cilat janë masat sidomos çka ndryshon kjo nga ajo që ka qenë. Por kemi një bllokadë të madhe të hyrjeve dhe daljeve në Prishtinë, që është e domosdoshme për me e ruajte shëndetin. Por kemi një telashe që edhe në rast të vendeve tjera edhe në tregtinë ndërkufitare, por edhe brenda vendit duhet me u lejua furnizimi me mallra dhe lëvizja e punëtorëve”.

“Kemi kërkuar korridore të lira të gjitha ato ndërmarrjet që nuk e kanë të ndaluar aktivitetin me vendimin e Ministrisë së Tregtisë, të lejohen të punojnë dhe lëvizja e punëtorëve. Ne jemi vend i vogël, krejt territori i kufirit të Prishtinës është në zonën e industriale që është në territorin e Graçanicës dhe Lipjanit”.

“Pjesa më e madhe e bizneseve që furnizojnë Prishtinën janë në këtë zonë, ose transiti në Ferizaj është i rëndësishëm për kompanitë, por edhe nga Gjilani për eksporte. Të gjitha këto janë disa anomali që janë krijuar, për këtë arsye kemi kërkuar që të hapen e të sqarohen e të mos kenë problem”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë së dielës përmes një video mesazhi ka kërkuar mbështetjen e bashkatdhetarëve në diasporë që të ndihmojnë Kosovën për shkak të gjendjes së krijuar pas përhapjes së Coronavirusit.