Rufi Osmani dhe humbja e një shansi historik!

Shkruan: Naser Pajaziti

Rufi Osmani është një simbol i sakrificës për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Por, ai u tradhëtua, përjetoi thika pas shpine dhe goditje që i kushtuan edhe me jetë, jo vetëm nga politikanët, por edhe nga vetë shqiptarët, që nuk i dhanë mundësinë për t’i përfaqësuar në nivel të vendit!

Me rikthimin në skenën politike me subjektin e ri politik Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), ai ofroi programin më të denjë dhe më përfaqësues, duke piketuar zgjidhje reale dhe praktike në fushat ku edhe tani çalojnë shqiptarët dhe janë shumë prapa, sidomos në zhvillim ekonomik dhe financa, që janë bërthama e çdo shteti.

Kjo parti kishte programin e qartë për reforma në gjyqësorin e kalbur, me propozimet për hetime nga ndërkombëtarët për rastet e montuara. Por, shumë e shumë zgjidhje konkrete, me një ekip të profilizuar që tanimë janë personalitete të dëshmuara në jetën profesionale, ndër të cilët mund të përmendim profesorin Izet Zeqiri.

Por, nuk i dashtën, apo thënë ndryshe i vodhën!

Inxhinieringu i pushtetit të asaj kohe VMRO-DPMNE-BDI i kontrolluar nga nëntoka e linjave familjare dhe klanore vodhi votat në mënyrë masive. Kjo u dëshmua edhe me përgjimet masive, kur dëgjohen telefonatat e Janakievskit dhe të tjerëve, se si janë hapur thasët me vota, kutitë dhe proceserverbalet e manipuluara.

Por, sidoqoftë, profesori doli faqebardhë dhe u tërhoq nga skena politike, duke parë rrethanat e krijuara të një kllapie dhe kapje të tërbuar politike, që sot jemi dëshmitarë se si po dalin tana të zezat.

Profesorit duhej ti jepej rasti, sepse ai kishte vizionin e tij të qartë për të shtyer proceset përpara dhe rotacioni politik qeverisës do të ishte një mision i shëndosh për demokracinë brenda shqiptarëve.

Ai bashkë me bashkëmenditarët e tij politik të asaj kohe mbetet Mandela i politikës shqiptare në Maqedoni, që u sakrifikua për lirinë dhe të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar. Për çdo 9 korrik përkujtohet dita e kobshme e sakrificës, kur pushteti i asaj kohe e burgosi profesorin duke e dënuar me 14 vite, por duke mos arritur ta mposhtë idealin dhe vizionin e tij.

Rufi Osmani mbetet një figurë ikonike e politikës shqiptare që nuk ditëm ta mbajmë aty ku duhej të ishte në ballë të frontit të përfaqësimit politik dhe institucional.