Rudolph: Kosovës i duhen institucione stabile për ta avancuar agjendën evropiane

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka theksuar se Kosovës i nevojiten institucione stabile për të avancuar agjendën evropiane dhe për të thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Në një intervistë për RTK-në, ai deklaroi se partnerët ndërkombëtarë presin që aktorët politikë në Kosovë të veprojnë në interes të vendit dhe të mbështesin stabilitetin institucional, në mënyrë që të vazhdojë puna në agjendën e përbashkët ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Rudolph ka thënë se Gjermania dëshiron të punojë me institucione që kanë mandat të qartë, duke theksuar se stabiliteti politik është i domosdoshëm për të çuar përpara bashkëpunimin dhe rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik, tregtia, investimet dhe projektet zhvillimore janë pjesë e përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në BE.

“Nuk kam asnjë ide se si do të vendosë Gjykata Kushtetuese dhe thjesht nuk më përket mua. Ajo që është me rëndësi për ne është që të kemi institucione stabile me të cilat do të punojmë, dhe siç e thatë edhe ju, keni pasur dy palë zgjedhje nacionale vitin e kaluar, plus pastaj zgjedhjet lokale.
Tani, nga perspektiva ime, duam të punojmë me vendin, kemi një agjendë në të cilën punojmë – agjendë ekonomike, politike e të sigurisë – dhe për këtë thjesht na duhen palët e kundërta me mandat me të cilët do të punojmë. Sigurisht që jam në kontakt me të gjitha palët politike, të qeverisë e të opozitës, por nuk e konsideroj punë time të them dikujt që është i zgjedhur demokratikisht. Përpiqem ta theksoj se është në interesin tonë që të kemi institucione dhe stabilitet institucional, thjesht që të vazhdojmë punën në agjendën tonë të përbashkët”, deklaroi ambasadori.

Ambasadori gjerman theksoi gjithashtu se tregtia mes Kosovës dhe Gjermanisë është e mirë, por jo e balancuar, duke shtuar se ka hapësirë për më shumë eksporte nga Kosova drejt Gjermanisë. Ai përmendi se bashkëpunimi zhvillimor përmes organizatës gjermane GIZ përfshin fusha si energjia, mjedisi, menaxhimi i mbeturinave dhe zhvillimi rajonal.

Duke folur për zbatimin e Ligjit për të huajt, Rudolph u shpreh se partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar që të zbatohet me kujdes, në mënyrë që të mos dëmtohen shërbimet shëndetësore dhe arsimore, veçanërisht për komunitetet pakicë.

“Ne kemi qenë në kontakt shumë të afërt me qeverinë dhe me kryetarët e komunave që preken më shumë nga kjo. Qëndrimi ynë ka qenë që, nëse ligji zbatohet, prioriteti duhet të jetë që të bëhet në mënyrë që shërbimet shëndetësore dhe ato arsimore të mos dëmtohen”, ka thënë ai.

Ai vlerësoi edhe rolin e diasporës kosovare në Gjermani, duke theksuar se ajo ka një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve, jo vetëm në aspektin ekonomik dhe diplomatik, por edhe në afrimin e shoqërive.